Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përshëndetur dorëzimin e aplikimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Në deklaratën pe shpërndarë për mediat, Begaj uron përzemërsisht autoritetet e Kosovës për përmbushjen e detyrimeve të procesit të anëtarësimit.
Në të njëjtën kohë, Begaj, i bën thirrje të gjitha vendeve anëtare që ta mbështesin aplikimin e Kosovës, pasi kjo do të ishte jo vetëm në interesin më të mirë gjeopolitik të Bashkimit Evropian, por dhe një kontribut më shumë në mbështetje të një vendi e një populli me vokacion të qartë evropian dhe euro-atlantik.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i dorëzoi sot Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Kurti në Pragë të Republikës së Çekisë, fillimisht zhvilloi një takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky. Pastaj, kryeministri Kurti është pritur nga ministri për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulas Bek./abcnews.al/


