Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për 843 milionë dollarë ndihmë për të mbështetur infrastrukturën kritike të vendit këtë dimër.
Në një fjalim virtual në një konferencë në Paris, Zelensky tha se Ukraina kërkon infrastrukturë kritike elektrike, si dhe importe urgjente të energjisë elektrike nga vendet evropiane “të paktën deri në fund të sezonit të ngrohjes”.
“Kjo do të kushtojë rreth 800 milionë euro, por çmimi është më i vogël se kostoja e ndërprerjes së energjisë”, paralajmëroi ai.
Rusia është akuzuar vazhdimisht se ka përdorur “dimrin si armë lufte” në Ukrainë në javët e fundit, duke goditur pamëshirshëm infrastrukturën kritike dhe duke lënë miliona ukrainas pa akses në energjinë elektrike, ujë dhe ngrohje qendrore.
46 vendet dhe 24 organizatat ndërkombëtare që u mblodhën në Paris të martën pritet të angazhohen për të ofruar mbështetje të menjëhershme për Ukrainën, duke u fokusuar në periudhën e dimrit.
Franca do të japë një ndihmë humanitare prej 80.7 milionë dollarësh, sipas një deklarate nga zyra e presidentit Emmanuel Macron, nga të cilat 51.1 milionë dollarë do t’i kushtohen energjisë, aksesit në ujë, ushqim, shëndetësi dhe infrastrukturë të transportit, si dhe operacionet e çminimit.
Kjo do të përfshijë 63 gjeneratorë të rinj elektrikë me fuqi të lartë që do t’i ofrohen Ukrainës në të ardhmen shumë të afërt, thuhet në deklaratë. /Abcnews.al/