Gjatë natës nuk janë raportuar incidente në veri të vendit dhe aktualisht gjendja është e qetë. Kështu tha për Radio Evropa e Lirë, drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.
Në këtë komunë, e banuar me shumicë serbe, mbrëmjen e 9 dhjetorit, tek lagjja Tri Rrokaqiejt, janë dëgjuar shpërthime.
Hoti tha se kjo ka ndodhur me mjet shpërthyes piroteknik, dhe se nuk ka pasur dëme.
Ditëve të fundit janë shtuar incidentet në veri të Kosovës, por pa pasoja në njerëz. Në orët e vona të 8 dhjetorit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një pjesëtar i saj është lënduar lehtë gjatë një sulmi të armatosur në veri.
Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në atë pjesë të Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve.
Në katër komunat në veri, Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok pritet të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.
Përfaqësuesit e saj kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri. Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve./abcnews.al/