Borxhet e bashkive kanë detyruar ministrinë e financave që të propozojë disa ndryshime ligjore që synojnë të ulin nivelin e detyrimeve. Aktualisht borxhet në 61 bashki të vendit rezultojnë se janë mbi 6.6 miliardë lekë deri në muajin shtator të vitit 2022. Ministria ka propozuar në ligjin për “financat e vetëqeverisjes vendore” një shtesë për parandalimin dhe zgjidhjen e tyre me anë të përdorimit të fondeve të trashëguara dhe të pa angazhuara nga viti i kaluar.
Në këtë mënyrë jo më pak se 30 për qind e tyre duhet të përdoren automatikisht për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe pagimin e nën huave të papaguara në kohë. Ndryshimet ligjore parashikohet të hyjnë në fuqi më 1 janar 2023, në mënyrë që pushteti vendor të ketë bërë bilancin e buxhetit të një viti më parë dhe të mund të nisë përdorimin e fondeve.
Peshën kryesore të detyrimeve në bashki e mbajnë vendimet gjyqësore për largimet e padrejta nga puna e më pas vijnë shërbimet, investimet pa fonde dhe mirëmbajtja. Edhe në rang bashkish nivelin më të lartë të borxhit e ka Tirana me 1.4 mld lekë e ndjekur nga Kavaja me 741 mln lekë, si dhe Vora 413 mln. /abcnews.al