PDIU dënon sulmin ndaj Berishës: Asnjë kartele e shëndetit mendor nuk mund të amnistojë ngjarjen e sotme

schedule16:26 - 6 Dhjetor, 2022

schedule 16:26 - 6 Dhjetor, 2022

Kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka dënuar sulmin ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha ditën e sotme në protestë. Ai shprehet se “ky akt është produkt i luftës politike të paprecedentë që nxit dhunë dhe përçarje” ndërsa kërkon zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

“PDIU dënon me forcë aktin e sotëm të goditjes për shkak të detyrës të kryetarit të opozitës, Dr.Prof. Sali Berisha. Ky akt është produkt i luftës politike të paprecedentë që nxit dhunë dhe përçarje. 

Asnjë kartele e shëndetit mendor nuk mund të amnistojë ngjarjen e sotme, e cila duhet të shërbejë si një refleksion i thellë për t’u larguar nga filozofia e dhunës që ka mbërthyer politikën në vend. Organet e drejtësisë duhet të kryejnë të gjitha hetimet dhe të zbardhin e të dënojnë motivet e vërteta dhe personat përgjegjës.”, thuhet në reagim.

Kujtojmë që lideri demokrat u godit me grusht në fytyrë nga 31 vjeçari Gert Shehu. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, 31-vjeçari rezulton me precedentë të mëparshëm penalë për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e lëndëve narkotike.

Ndërkohë, në një deklaratë për shtyp pas protestës, Berisha hodhi akuza se 31-vjeçari që e sulmoi është një agjent i policisë kriminale, i përdorur nga qeveria./abcnews.al