Fuqia e mirënjohjes

schedule20:13 - 5 Dhjetor, 2022

schedule 20:13 - 5 Dhjetor, 2022

Nga Ross E O’Hara

Kohët e fundit vrapova në Maratonën e Detroitit, dhe me këtë pjesëmarrje mblodha para për organizatën “Community Cat Rescue”në Detroit Një ditë pas garës, u shkrova letra të shkurtra falënderimi të gjithë atyre që dhuruan para.

E dija që mamasë sime do t’i pëlqente si gjest, por mu duk paksa e çuditshme që po i shkruaja shokëve nga liga e basketbollit ku jam i angazhuar prej vitesh. Duke kërkuar donacione për miqtë e mirë të preferuar – kotelet – kisha zbuluar disa gjëra të reja tek vetja –ndaj shqetësohesha se mos falënderimet e shkruara me dorë do të ishin një tjetër shkelje e normave mashkullore.

Në fakt e kisha shumë gabim. Shprehja e mirënjohjes për miqtë dhe shokët e mi, dhe jo vetëm për dhurimet e tyre, por edhe për shoqërinë e tyre me mua, ishte diçka shumë e gjetur. Në fakt, studimet mbi mirënjohjen na tregojnë se të gjithë, ashtu si unë, e mbivlerësojnë vështirësinë e shprehjes së kësaj ndjenje, dhe nga ana tjetër e nënvlerësojnë befasinë dhe efektin pozitiv që do të sjellë ajo tek të tjerët. Tani unë ndihem më i lidhur me ata djem se kurrë më parë.

Teksa po i afrohemi fundit të këtij viti, një kohë kur shumë njerëz falënderojnë Zotin dhe njerëzit përreth për gjërat e mira në jetën e tyre, unë mendova se do të ishte mundësia e përsosur për të shkruar mbi mirënjohjen.

Mirënjohja është momenti kur ne vlerësojmë një person tjetër që na jep qëllimisht dhe nëmënyrë altruiste diçka me një vlerë personale. Pas maratonës, unë i jam mirënjohës miqve dhe familjes, si për përfitimin e dukshëm të donacioneve në para, por edhe për mbështetjen e padukshme sociale që përfaqësonin donacionet e tyre.

Por mirënjohja është më shumë sesa një akt mirësjellje, apo një strategji e llogaritur për të marrë dhuratat. Të qenit mirënjohës lidhet me nivele më të larta të kënaqësisë nga jeta, optimizmit, vitalitetit, ndjeshmërisë, faljes dhe qasje pozitive.

Mirënjohja e zgjeron perspektivën tonë mbi jetën, duke na nxitur të jemi më kreativë dhe mëreflektivë. Po ashtu mirënjohja redukton ndjenjat e zilisë, negativitetit, depresionit dhe ankthit. Disa studime kanë argumentuar se mirënjohja është thelbësore për marrëdhëniet tona me njerëzit e tjerë, dhe për përvojën njerëzore në tërësi.

Një nga këngët e famshme të Krishtlindjeve është në thelb historia e shndërrimit të dikujt nga mosmirënjohës në një person mirënjohës. Çarls Dikens kishte të drejtë kur shkroi se mirënjohja mund të mësohet, Por shumica nga ne do të zgjidhnin të mos vizitoheshin nga fantazmat gjatë gjithë natës.

Fatmirësisht, psikologët kanë shpikur disa mënyra për t’i mësuar të rinjtë të jenë më mirënjohës, dhe për t’i nxitur të rriturit që të shprehin mirënjohjen. Këto praktika përfshijnë ditarin e mirënjohjes (një formë tjetër e shkrimit shprehës), letrat e mirënjohjes, fillimin e bisedave të mirënjohjes apo thjesht adoptimin çdo ditë të një mendësie mirënjohëse.

Në një studim, mbi 200 nxënës të shkollave të mesme urbane përdorën aplikacionin “GiveThx”, që u ofroi përdoruesve një hapësirë ​​për ditarin e mirënjohjes dhe falënderimin privat ndaj nxënësve të tjerë. Krahasuar me grupin e kontrollit, përdoruesit e “GiveThx”raportuan se ishin më mirënjohës, dhe kishin një pikëpamje më pozitive për jetën dhe botën, më pak ankth dhe më shumë kënaqësi me miqësitë dhe jetën e tyre.

Po ashtu ata patën rezultate më të larta në disa teste të të mësuarit socio-emocional, përfshirë rregullimin e emocioneve, altruizmin dhe motivimin e arritjeve. Një studim tjetër përdori mesazhet për t’i inkurajuar studentët e kolegjit që të jenë mirënjohës.

Përgjatë 7 javëve, studentëve iu dërguan mesazhe përkujtuese javore për të zgjedhur një qëndrim mirënjohës, për të shprehur falënderimet ndaj bashkëmoshatarëve apo profesorëve të tyre, dhe për të reflektuar mbi 3-5 bekime nga java e kaluar.

Studentët që praktikuan mirënjohjen raportuan se ishin më të qetë, më pak të stresuar, më të fokusuar tek mësimet, më të motivuar dhe më rezistentë përballë sfidave akademike.

Këto studime tregojnë dy gjëra të rëndësishme për mirënjohjen. Së pari, studentët mund të përfitojnë nga praktikimi i mirënjohjes gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm gjatë një sezoni të caktuar. Së dyti, teknologjia është një mënyrë e shkëlqyer për të inkurajuar studentët të falënderojnë të tjerët dhe t’i ndajnë ato ndjenja. Në punën time në “Persistence Plus”, ne i nxisim rregullisht nxënësit të shprehin mirënjohje për ata që i ndihmojnë.  / “Psychology Today”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!