“Do të kushtojë mbi 30 milionë euro”, Belgjika nis gjyqin më të madh në historinë e saj për sulmet terroriste

schedule14:25 - 5 Dhjetor, 2022

schedule 14:25 - 5 Dhjetor, 2022

Gjashtë vite e gjysmë pas sulmeve terroriste që shkaktuan dhjetra të vrarë, qindra të plagosur dhe tronditje te njerëzit, Belgjika ka nisur gjyqin më të madh në historinë e saj.

Gjithsej 32 persona u vranë dhe mbi 340 të tjerë u plagosën në shpërthimet me bomba në aeroportin e Brukselit dhe në sistemin e metrosë së qytetit. Dhjetë persona do të përballen me akuza në lidhje me vrasjen e 32 personave në mars 2016, kur një bombë shpërtheu në aeroportin e Brukselit dhe më pas në një metro.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në Belgjikë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe çoi në protesta, kontrolle kufitare, hetime dhe madje edhe evakuimin e  pjesshëm të termocentraleve bërthamore të vendit.

I dyshuari kryesor në gjyq do të jetë Salah Abdeslam, i cili tashmë është dënuar në një gjyq në Francë për pjesëmarrjen e tij në sulmet terroriste në Paris në 2015, ku u vranë 130 persona.

Ai u dënua me burgim të përjetshëm, pa të drejtë lirimi me kusht. 9 nga të pandehurit do të jenë të pranishëm në gjykatë. Një i dhjetë, Oussama Atar, po gjykohet në mungesë, megjithëse besohet se ai mund të jetë vrarë në Siri.

Abdeslam është një nga pesë të pandehurit që u dënuan nga gjykatat franceze, por që tani përballen me dënime të mëtejshme në emër të autoriteteve belge. Ata të gjithë dyshohet se kanë qenë të përfshirë në të dyja grupet e sulmeve, duke vepruar në emër të Shtetit Islamik.

Gjyqi do të mbahet në ndërtesën e ish-selisë së NATO-s në Bruksel.  Rreth 1000 njerëz u thirrën si kandidatë të mundshëm për të qenë anëtarë të jurisë. Ai pritet të zgjasë deri në vitin 2023 dhe të kushtojë mbi 30 milionë euro.

/abcnews.al