Problematikat që kanë sjellë rrezikimin e mbylljes së degëve prioritare në gati të gjitha universitetet shqiptare janë diskutuar në studion e ABC Live me aktivistë të cilët sot kanë protestuar edhe para Ministrisë së Arsimit në një protestë-homazh për degët prioritare që rrezikojnë të mbyllen.
Në një bashkëbisedim në studio me gazetaren Sibora Bitri, aktivisti i Qëndresës Qytetare Migen Qiraxhi u shpreh që ndërkohë që gjatë festimeve për pavarësinë dëgjuam plot fjalime patriotike, duhet tju themi politikanëve dhe këtyre ‘patriotëve’ që gjuha shqipe në Elbasan, në fakt dega e ‘gjuhësisë’ ka vetëm 2 studentë në këtë qytet, ndërkohë po mbyllet dhe matematika në Shkodër apo dhe dega e fizikës.
Sipas aktivistit tjetër Gevio Tabaku kjo gjë po e shohim në të gjitha universitetet publike të vendit, ku kemi mbyllje të fizikës, matematikës, por edhe në universitete të tjera.
‘Nuk duan të studiojnë për këto programe studimi, duan të studiojnë degë të cilat i japin akses për të ikur jashtë vendit, tha Tabaku.
Rreth 70 përqind e degëve kanë më pak se 10 studentë. Ndërkohë sipas ekspertit të punësimit Erion Muça ‘vetëm 7.4 përqind të papunësuarve në Shqipëri iu drejtohen Zyrave të Punës’.