Sezoni i dytë dimëror i luftës “do të jetë shumë sfidues”. Kjo është ajo që ka paralajmëruar kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal. Ai tha në një mbledhje të qeverisë se me shumë gjasë Rusia do të bombardojë më tej infrastrukturën energjetike ndërsa shtoi se qëllimi i Kremlinit është që të “ngrijë së ftohti” Ukrainën.
Shmyhal tha se të gjitha rajonet e Ukrainës, përveç rajonit Kherson, furnizohen me energji elektrike. Ndërsa, aktualisht prodhimi i energjisë elektrike në vend mbulon 70% të nevojave të konsumit.
Ai shtoi se përgjegjësia tashmë bie mbi kompanitë rajonale të energjisë që të mos tejkalojnë kufijtë e ofruar nga ofruesi shtetëror i energjisë elektrike NPC Ukrenergo dhe të minimizojnë shkëputjen e pabarabartë të konsumatorëve.
Ka energji të mjaftueshme, tha ai, për të shpërndarë në mënyrë të barabartë ngarkesën e ndërprerjeve të detyruara në mënyrë që njerëzit të mund të ndezin dritat për të paktën pesë deri në gjashtë orë në ditë, tha Shmyhal.
Shmyhal shtoi se situata kërkon një mbrojtje të fortë ajrore dhe riparime të shpejta të pajisjeve të dëmtuara të energjisë. /abcnews.al/