Mjeku epidemiolog Laidon Shapo, bazuar në eksperiencën e tij si mjek në Britani, ka arritur në përfundimin që kurba e Kovidit është në rënie dhe infektimet në rritje aktualisht në Kinë nuk beson se do të mund të trokasin mbrapsht në Europë. Në një lidhje live direkte me studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, mjeku Shapo u shpreh optimist për fundin e Kovidit, megjithëse tha që mbetej akoma për tu parë ndikimi i tij në atë që njihet periudha post-kovid.
Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë sapo ka organizuar Konferencën e 16-të Evropiane në Londër, ku mjeku Laidon Shapo ka bërë një prezantim mbi temën e Kovidit të gjatë dhe të sindromës post-Kovid. Sipas vështrimit të tij epidemiologjik, si dhe bazuar në eksperiencën e tij britanike, Laidon Shapo prezantoi disa pika sesi mund ta identifikojmë Kovidin e gjatë. Për Shapon njihet si Kovid i gjatë kryesisht kur sëmundja vazhdon te pacientët në një periudhë kohore më shumë se 4 javë.
‘Ka nga ata që janë të prekur me një vaksinë, dy vaksina, apo me doza përforcuese. Duhet kapur në kohë. Pas 4 javëshit të parë, shumica e pacientëve janë shëruar. Por një pjesë e mirë e tyre prezantoheshin me simptomologji përtej periudhës 4 javore. Nëse kovidi zgjat nga 4 -12 javë, kemi të bëjmë me atë Covid me simptomologji të vazhduar, pas 12 javësh, Covid i gjatë’, tha Shapo.
Ndër simptomat kryesore të Kovidit të gjatë për mjekun epidemiolog Shapo janë: lodhje, këputje, mjegullim të mendimit, harrohen se çfarë bisedash janë bërë më përpara, probleme të demencës së hershme, ato që nuk kanë pasur diabet, janë bërë me diabet, kemi të bëjmë me një Kovid të gjatë, mbi 12 javë, krijon premisat për tu futur te grupi i sëmundjeve kronike.
Sipas mjekut Laidon Shapo rreth 16 përqind e popullsisë është e prekur nga Kovidi i gjatë sot në botë.