Nga Vetting
Një amfiteatër me përmasa biblike, rrethuar nga shpatet e thikta të Alpeve me majat e gurta që të qëndrojnë mbi kokë, veshur me një mantel që ndryshon ngjyrat në çdo stinë rreth një skene, ku të duket sikur do të shfaqen nga momenti në moment personazhet e legjendave. Përtej dëgjohen papritur bubullimat e shkëmbinjve dhe ortekëve që vazhdojnë rrëzohen rëpirave prej miliona vitesh dhe më pas përsëri bie qetësia që prishet vetëm nga gurgullima e Valbonës, lumit që rrjedh mes përmes luginës nëpër zallin e shtruar me gurët e bardhë.
Lugina e Valbonës, për dikë mund të duket e rrezikshme, e ashpër, e egër, por gjithkush që ka patur rastin të hyjë brenda kësaj skenografie, është mrekulluar nga brishtësia dhe bukuria e natyrës. Dhe përveç natyrës, ke rastin të trokasësh në portat e shtëpive dhe bujtinave shqiptare, të njohësh mikpritjen e zakonet e banorëve dhe të shijosh gatimet tradicionale. Kjo është arsyeja që çdo vit mijëra vizitorë nga vende të ndryshme të globit vijnë të përjetojnë një eksperiencë të veçantë.
Përgjatë kësaj lugine janë disa bujtina që presin e përcjellin mijëra turistë të cilët vijnë nga të gjitha anët e botës.
Ato menaxhohen nga të rinj të kësaj ane që kanë vendosur të qëndrojnë në vendin e tyre. Sandër Malaj e ka provuar emigracionin disa herë por është rikthyer për ti dhënë jetë kullës së tij e kthyer në bujtinë.
Ka nisur si biznes familjar shumë heret në një kohë kur rruga drejt Valbonës ishte shumë e vështirë.
E gjitha familja është e angazhuar të mbështesë Sadrin në këtë sipërmarrje me shumë sfida. Nëna është mbështetja kryesore për Sandrin.
Klement Selimaj është rreth 30 vjeç. Është më i madhi i familjes dhe drejton bujtinën Jezerca. Është ndër më të njohurat në Luginë. Me pasionin për punën dhe dashurinë për vendin e tij, hap pas hapi ia ka dalë të krijojë një ambjent të bukur rreth bujtinës së tij.
Kelmenti nuk ka menduar asnjëherë të emigrojë. Qysh fëmijë ai është angazhuar në biznesin e tij familjar për ta rritur e përmirësuar, vit pas viti.
Ervini është më i riu i menaxherëve të bujtinave në Luginë. Ka përfunduar studimet për hoteleri turizëm dhe është i angazhuar ne menaxhimin e bujtinës së tij, Tradita. Prej 12 vitesh familja ka punuar mes shumë vështirësive për të ngritur këtë biznes
Si shumica e të rinjve, është tunduar shpesh të largohej në emigracion por sot duket i lumtur për vendimin që ka marrë.
Ervini një mesazh për të rinjtë që po largohen. Ai beson se turizmi është një fushë që mund të angazhojë shumë të rinj nëpër të gjithë Shqipërinë, para se ata të marrin vendimin për tu larguar drejt emigracionit.
Këta të rinj dhe shumë të tjerë që punojnë nëpër bujtinat dhe hotelet e luginës së Valbonës deri në Rragam, ndeshen me shumë vështirësi. Më kryesorja është mungesa e fuqisë punëtore. Për shkak të emigrimit masiv, në Valbonë nuk ka të rinj që mund të punojnë.
Për shkak të numrit në rritje të të rinjve që po emigrojnë situata sa vjen e bëhet më dramatike. Duket gati e pamundur të gjesh guzhinier, kamarier, guida turistike etj. Në këtë situatë, të rinjtë që menaxhojnë bujtinat e luginës së Valbonës, hezitojnë të planifikojnë zgjerimin e biznesit të tyre, edhe pse numri i turistëve, kryesisht të huaj, është gjithnjë në rritje.
Këto bujtina janë ngritur me mundin e djersën e këtyre familjeve, pa asnjë ndihmë nga institucionet shtetërore, nga qeveria aktuale apo edhe nga qeveritë paraardhëse. Ata nuk kërkojnë ndihmë nga asnjë qeveri por kërkojnë që institucionet të angazhohen të përshpejtojnë çështjen e legalizimit të plotë të pronësisë për ti hapur rrugë zgjerimit të bizneseve të tyre, apo edhe hapjen e bujtinave të reja.
Mungesa e energjisë elektrike është një ndër më kryesoret. Rreth secilës bujtinë është vendosur një gjenerator. Makineritë e zhurmshme vihen në punë shumicën e kohës por kryresisht në vjeshtë dhe dimër. Bashkë me HEC-in e ndërtuar mbi lumin e Valbonës janë shënjat që dora e njeriut shëmton bukuritë që zoti ia ka falë kësaj lugine.
Nënkryetari i bashkisë, konfirmon gjithashtu problematikën e mungesës së energjisë dhe flet për përpjekjet e bashkisë për ti dhënë zgjidhje. Zyrtarët e lartë të bashkisë janë në pritje të mbajtjes së premtimit nga ministria e energjitikës për ta zgjidhur përfundimisht problematikën në Valbonë, por edhe të tjera zona turistike të Tropojës.
Bashkia e Tropojës është një ndër njësitë administrative me fondet më të vogla. Për këtë arsye, nënkryetari i bashkisë na tregon se mundësitë për të mbështetur të rinjtë e bujtinave të Valbonës apo edhe të tjerë, janë të pakta.
Çështja e çertifikatës së pronësisë është gjithashtu problematike për zhvillimin e turizmit. Të rinjtë punojnë në tokat e kullat e tyre por zyrtarisht nuk e kanë çertifikatën e pronësinë.
Pavarësisht sfidave me të cilat përballen, të rinjtë që menaxhojnë bujtinat e Luginës së Valbonës janë optimistë.
Ka një libër përshtypjesh në secilën bujtinë. Turistët shkruajnë aty impresionet për Valbonën, por edhe për çfarë ofrojnë njerëzit e kësaj luginë për vizitorët.
Atje gjen mesazhe në shumë gjuhë të botës për bukuritë mahnitëse të alpeve shqiptare dhe për mikpritjen e veçantë që e karakterizon krahinën. Në mbyllje të këtij udhëtimi kemi zgjedhur mesazhin e Romeos, turisti francez, i cili e përshkruan kështu Luginën e Valbonës:
“Pamja e maleve është e mahnitshme, çmendurisht e bukur. Më pëlqeu çdo hap. Në çdo hap kishte diçka për të parë: male, shtëpi të bukura, bimë që nuk i kam parë kurrë dhe ujëvara të mahnitshme. Njerëzit ishin shumë miqësorë dhe të gatshëm për të ndihmuar” Romeo nga Franca.