Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abott është shprehur sot se mirëpret marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur të mërkurën në Bruksel për targat. Abott thotë se është mirë që përmes një marrëveshje të tillë u largua një burim i tensionit dhe ka përgëzuar Kosovën dhe Serbinë për arritjen e kompromisit.
Diplomati britanik ka thënë se marrëveshja do të jetë një lehtësim sidomos për ata që jetojnë në veri të Kosovës.
“Unë mirëpres një marrëveshje të rëndësishme që largon një burim tensioni dhe përgëzoj të gjitha palët për kompromisin që kanë treguar. Marrëveshja për targat do të jetë veçanërisht një lehtësim për ata në veri të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Abott teksa ka shpërndarë një postim të ministrit britanik për Evropën.
Në fund, Abott thotë se tash është radha që serbët të kthehen në institucione.
“Tani duhet të shohim që serbët e Kosovës të kthehen në institucione, në interes të vendeve të punës, familjeve të tyre dhe sundimit të ligjit”, ka përfunduar Abott.
Serbët ndërkohë kanë kushtëzuar kthimin e tyre në institucione me themelimin e Asociacionit. /abcnews.al/