Në një lidhje direkte me studion e ABC Live, eksperti lokal i bujqësisë dhe pedagogu në zonën e qarkut të Lezhës Gjon Gaspri ka renditur të gjitha dëmet që shkakton në bujqësi reshjet dhe uji i tepërt, sidomos në lidhje me cilësinë e tokës.
Gaspri theksoi që të gjitha politikat rajonale në këtë zonë duhet të lidhen me lumin Drin, i cili është dhe faktori kryesor për përmbytjet.
‘Një problem shumë i rëndësishëm duhet të mendojmë gjithë politikat që bëhen në Lezhë, duhet të lidhen me lumin Drin, politikat aktuale janë shumë anësore, edhe studimet e vjetra e bëra disa dekada më parë kishin si qëllim kryesor lumin Drin, i cili shpeshherë lihet jashtë vëmendjes’, u shpreh Gaspri.
Ndërsa përsa i përket ujit të tepërt, dhe ndikimit të tij në cilësinë e tokës dhe të prodhimeve bujqësore, Gjon Gaspri u shpreh që:
‘Uji i tepërt, në këtë kohë që është përmbytja, çdo bimë e mbjellë, edhe grurin, ato të sapombira janë në kushte të rrezikut dhe fara e mbjellë rrezikon të mos mbijë, gjithçka është në risk, u bë disa ditë që janë në efektet e ujit. Jonxha, frutikultura, janë në kushte të vështira, ato rrezikojnë që të thahen dhe të ulin produktivitetin’, tha eksperti i bujqësisë Gjon Gaspri.
Sipas tij, një sipërfaqe e mbjellë me grurë nuk duhet të jetë nën efektin e ujit, imagjinojini po të jenë disa ditë. Vështirësitë janë të mëdhaja, në kulmin e mbjelljeve sidomos përsa i përket grurit.
‘Sasia e reshjeve që ka rënë është mjaft e madhe, kërkon kohën e vet për tu larguar, nëse ndërpriten reshjet sot, duhen të paktën 2 ose 3 ditë të tjera, që të jenë në funksionim kanalet, në zona të tjera si Torovica mund të kërkojnë dhe më shumë kohë’, tha Gjon Gaspri.