Çështja e targave, Spahiu: Një lojë që Serbia të sulmojë Kosovën

schedule12:14 - 22 Nëntor, 2022

schedule 12:14 - 22 Nëntor, 2022

Politologu i njohur nga Prishtina Nexhmedin Spahiu në një lidhje direkte me studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri ka deklaruar që takimet e djeshme në Bruksel dhe deklaratat pas këtyre takimeve tregojnë që cështja e targave është vetëm një lojë, një lojë që po përdoret nga palët që Serbia të sulmojë Kosovën.

Në lidhje me shtyrjen dy ditore të afatit për vendosjen e gjobave për drejtuesit e mjeteve me targa ende serbe, Spahiu u shpreh që:
‘Kryeministri Kurti me shtyrjen ka dashur të tregojë një racionalitet, nëse është fjala për dy ditë mund ta shtyjmë, por nuk është një çështje që mund të shtyhet për 10 muaj. Çështja e targave ka qenë rakorduar në Bruksel shumë vite më parë, por qeveritë e mëparshme nuk kanë qenë serioze në këtë drejtim, nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje, është kthyer në një realitet, i cili po ri-negociohet sërish. Deklaratat e Borrelit janë të anshme dhe nuk janë deklarata të cilat i kontribuojnë një marrëveshje’, tha Spahiu.

Për politologun e njohur Nexhmedin Spahiu me deklaratat e tij, Borrel kërkon ta profilizojë Kurtin që nuk është njeri i marrëveshjeve, dhe që nuk e ka mbështetjen e europianëve dhe të amerikanëve, duke e nxitur më tej konfliktin.

‘Kjo mund të vazhdojë deri në një moment të caktuar. E gjithë kjo strategji po bëhet për të joshur Serbinë që të sulmojë Kosovën ushtarakisht. Patjetër, po flasim për luftë. Përndryshe nuk do të kishte kuptim. Çështja e targave është marrë para disa vitesh, kur e ka pasur këtë obligim që para 5 – 6 vitesh. Dëgjova deklaratat e Vuçiç, drejtuar kombit serb mbrëmë në orët e vona, dëgjova deklaratat e kryeministrit Kurti, po konkludoj nga ajo që dëgjova që thjesht çështja e targave është vetëm një lojë, një lojë që përdoret për të dy palët, ku çështja kryesore do të jetë nëse do të shkojmë drejt njohjes së Kosovës apo jo’, u shpreh Spahiu.

Sipas tij, çështja kryesore është që do të futet Serbia në orbitën e perëndimit, apo do të vazhdojë të bëjë politikën e saj të pavarur, siç e ka bërë deri tani. Çështja e targave po shërben si një karrotë për Serbinë.

Për politologun Nexhmedin Spahiu ‘pavarëisht se SHBA janë apo nuk janë në tavolinë, ato janë strumbullari kryesor i çështjes, BE është krijesë e SHBA. Ndoshta ndikimi amerikan në BE nuk është aq i madh sa në Kosovë, por BE është nën thundrën amerikane, çdo gjë bëhet sipas skenarit të amerikanëve’.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!