Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, theksoi për mediat italiane se po provon një jetë të re në Shqipëri. Ai foli për eliminatoret e Evropianit dhe për bisedën me Kryeministrin Rama në një intervistë për “La Gazeta delo Sportin”.
Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga takimi i parë.
Edi Reja si trajner i Shqipërisë nuk është më një lajm, por mediat e vendit fqinj, Italisë, janë të interesuara për një personalitet italian, që po provon një aventurë të re.
“La Gazeta delo Sport” realizoi një intervistë të gjatë me 73-vjeçarin, duke e pyetur gjerë e gjatë, dhe thelbi i përgjigjes së Rejës ishte: “Në Shqipëri, po provoj një jetë të re”.
Reja analizon dy ndeshjet, ato ndaj Islandës e Moldavisë, duke theksuar se humbja jashtë fushe nuk ishte e merituar, ndërsa suksesi në “Elbasan Arena” krijoi besim dhe entuziazëm.
Trajneri u shpreh se nuk ishte i dorëzuar për kualifikimin në Evropian, ndonëse e quajti të vështirë, dhe theksoi momentin vendimtar: Ndeshjen në Turqi.
Veterani i stolit është i katërti italian në kombëtaren shqiptare, dhe thekson se zgjedhja e presidentit Duka vjen, siç duket, nga afërsia gjeografike, ngaqë kuptohet gjuha italiane.
Shtatëdhjetetrevjeçari pohon se ish-trajneri De Biazi ka status prej heroi në Shqipëri, për shkak se ndihmoi ekipin të kualifikohej për në Euro 2016.
Ai nuk komentoi gjatë për Panuçin, por hipotezoi se ndoshta ai mund të mos ishte përshtatur siç duhet me ambientin.
Më tej, pranoi se për momentin është një nxënës i keq i shqipes.
“Njoh mirë gjuhën sllovene dhe mendoja se mjaftonte, por shqipja është diçka krejt tjetër”, – shprehet Reja, – për fat, thuajse të gjithë lojtarët kuptojnë italisht, dhe unë kam engjëjt e mi mbrojtës, ndihmësit Bulku e Salihi”.
U fol shumë për ardhjen e tij me sponsorizim të kryeministrit Rama, por tekniku jep version tjetër.
“Nuk është se më bindi Rama”, – theksoi ai për “La Gazetën”, – më telefonoi për të më pyetur nëse kisha dëshirë për këtë aventurë të re. U njohëm në Romë, në ndeshjen Lacio-Juventus”.
Pasi vlerësoi Shqipërinë si një vend në ndërtim e sipër, dhe në zhvillim, e pasi u shpreh se shqiptarët ishin shumë të lidhur me kombëtaren, Reja foli për Superligën.
“Ka nivel të pranueshëm, – tha tekniku, – por, problem është se shumica e lojtarëve të kombëtares luajnë jashtë. Stadiumet janë të mirë, qendra e kombëtares në Durrës po ashtu, ndërsa stadiumi i ri në Tiranë do të jetë një margaritar”.
Edi Reja e mbylli intervistën për “La Gazeta delo Sportin” duke folur për skemat e tij, si dhe për lojtarët më të mirë të kombëtares që, sipas tij, janë ata që luajnë në Itali si Hysaj apo Veseli./ABC News Albania 24/7