SHBA – Iran përshkallëzohen tensionet

schedule10:30 - 25 Qershor, 2019

schedule 10:30 - 25 Qershor, 2019

Përshkallëzohet tensioni mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se nuk i duhej leja e Kongresit për të sulmuar, ndërsa Teherani deklaron se rruga e diplomacisë mes dy vendeve është ndërprerë përgjithmonë.

“Nuk më duhet leja e Kongresit për një sulm ndaj Iranit”. Është kjo deklarata e presidentit amerikan Donald Tramp i cili në një intervistë për “The Hill” shpjegoi se i pëlqente ideja që të kishte kongresin me vete por nuk i duhet autorizimi i tij për të vijuar me sulmin. Një leje që sipas Nensi Pelozit është e domosdoshme, por Tramp nuk bie dakord.

Nga ana tjetër reagon dhe Teherani zyrtar duke thënë se me sanksionet e reja sterile ndaj Iranit – këtë herë objektivi është personalisht Guida supreme Ali Khamenei – Shtetete Bashkuara të Amerikës I kanë dhënë fund përgjithmonë rrugës së diplomacisë mes Uashingtonit dhe Teheranit. Deklarata është bërë në Tuiter nga zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane. Ai shton se qeveria e dëshpëruar e Tramp është gati të bëjë çdo gjë për të shkatërruar mekanizmin e konsoliduar ndërkombëtar nëpërmjet të cilit ruhen paqja dhe siguria.

Reagimi Iranian vjen një ditë pas urdhrit ekzekutiv të firmosur nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të vendosur sanksione ndaj autoritetit më të lartë Iranian Khamenei, dhe deklaratave të sekretarit amerikan të thesarit për të vendosur sanksione dhe ndaj ministrit të jashtëm Iranian. Shtetet e bashkuara të amerikës nga ana e tyre shprehen të gatshëm për negociata me Iranin, e vetmja gjë që duhet të bëjë Teherani është të kalojë në derën e hapur. Deklarata u bë në Jeruzalem nga këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare Xhon Bolton. Por presidenti Iranian Rohani reagoi menjëherë duke thënë se teksa Uashingtoni bën apel për negociata, njëkohësisht vendos dhe sanksione ndaj ministrit të jashtëm. Është e qartë që po gënjejnë për sa i përket qëllimit tuaj për të dialoguar me Iranin. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!