Në një bisedë në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, analisti i njohur Mentor Nazarko është shprehur duke parashtruar disa argumenta që Kurti po privilegjon Francën dhe Gjermaninë. Duke iu referuar Forumit të Paqes në Paris, Nazarko vuri re që Kosova ishte e mbipërfaqësuar, jo vetëm me kryeministrin por edhe me presidenten.
‘Mesa duket, Franca tentoi që brenda një forumi të tillë të realizonte një takim tre – palësh ndërmjet Vuçiç, Kurtit dhe Macron. Kurti la të kuptohej që do të kishte por nuk u prodhua asgjë’, u shpreh Nazarko.
Nga ana tjetër, Nazarko u shpreh që aktualisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po qëndrojnë dy delegacione të opozitës të Kosovës. Nuk ishte një ftesë masive, nga ana e Partisë Vetëvendosje, është shtyrë viza.
Sipas Nazarkos, ‘Kurti ka dhënë shenja që e pranon planin Franko – Gjerman, ka dhënë shenja të mira, në drejtim të Francës dhe Gjermanisë, por megjithatë është një veprim i tij që nuk dihet se ku do të çojë’.
Pavarësisht pranimit të projektit franko – gjerman, për Nazarkon, Kurti duhet të tregojë respekt edhe ndaj SHBA, dhe brenda kësaj hapësire është duke përfituar Haradinaj dhe LDK.
Përsa i përket takimit të Kurtit me përfaqësuesit e opozitës, Nazarko u shpreh që:
‘Mendoj se është veprim konstruktiv, dhe opozita duhet të jetë konstruktive po ashtu. Pavarësisht se opozita nuk ka kontribuar, opozita duhet të përfshihet aktivisht, sidomos në kuadrin e projektit franko-gjerman, mund edhe të shkohet në një qeverisje me bazë të gjerë, sepse është një nga ato rastet që vjen vetëm një herë’, tha Nazarko.