Panairi i Librit, organizatorët hedhin poshtë sondazhet, ka një rritje të interesit

schedule14:08 - 16 Nëntor, 2022

schedule 14:08 - 16 Nëntor, 2022

Me rastin e hapjes së edicionit të 25 të Panairit të Librit në Tiranë, në studion e ABC Live është zhvilluar një bisedë me menaxherin e platformës Bukinist.al Albert Gjoka.

I pyetur nga gazetarja Sibora Bitri në lidhje me sondazhet e fundit, të cilat tregojnë që 70% e shqiptarëve nuk kanë blerë libra gjatë vitit të fundit, Gjoka u shpreh skeptik në lidhje me këtë shifër. Sipas tij ‘jemi larg vendeve perëndimore, por nuk jemi në ato shifra që paraqet sondazhi, nuk dua të kontestoj sondazhin, ku është bërë, apo me çfarë lloj kampinionimi.

Por nga përvoja personale dhe e Bukinistit ka patur një rritje domethënëse gjatë këtyre dy viteve të fundit, edhe me rrjetin e librave në Kosovë dhe Shqipëri, tani ka filluar një lloj rigjallërim i shtëpive botuese. Për menaxherin e Bukinist.al Albert Gjoka rritja është në shifrat 30 – 35 % rritje. Për të, përsa i përket nivelit të lexueshmërisë, ka nevojë për shumë punë.
‘Futja e TVSH ka ndikuar negativisht, ka rritur informalitetin dhe nuk ka stimuluar tregun. Ne jemi një vend me të ardhura minimale, në kohë që ka krizë, libri preket i pari, politika publike për librin dhe leximin nuk janë aq efektive’, shtoi Gjoka.
Ndryshe nga bibliotekat e dikurshme sot ka shumë mënyra sesi komunikojmë me anë të librit. Sipas Gjokës, në platformën e Bukinistit janë të regjistruar rreth 64 mijë lexues të regjistruar, dhe ka edhe të dhëna që operojnë në tregun fizik që tregojnë se ka një rritje, ‘në një vend ku shtohet numri i shtëpive botuese do të thotë që ka një rritje’, u shpreh Gjoka. /abcnews.al