“Marr 90 mijë lekë pension, nuk më dalin për ilaçe”, e moshuara: Për drekë kam ngrënë gjizë me domate, mi solli goca

schedule21:34 - 12 Nëntor, 2022

schedule 21:34 - 12 Nëntor, 2022

Nga emisioni Vetting: 

Bukurie Metani është një banore e fshatit Pinar, 15 kilometra në periferi të kryeqytetit. Ajo është 76 vjeçe. Jeton vetëm në banesën e saj të dëmtuar nga tërmeti. Bukuria merr vetëm 90 mijë lekë pension, ndërkohë lista e ilaçeve që merr në muaj e tejkalon shumën 150 mijë lekë të vjetra duke përfshirë edhe rimbursimin që i takon si pensioniste.

“Pensioni im është 90 mijë. Tani është bërë ka pak ditë, është bërë prej dritave. Kam pas marrë 87, 80, 86, ashtu duke u shtuar nga 2 mijë lekë. Me pension kooperative mos e gëzofsha jetën time. Skam tjetër asnjë lloj ndihme.

Ku del pensioni, 60 dhe 30, këto të dyja iku pensioni. I ble nga 10 mijë lekë, ndonjëherë ri edhe pa gjë, se nuk plotësohen të gjitha, këto janë pompat e frymës”.

Paratë që merr nga pensioni dhe çfarë i vijnë si ndihmë nga fëmijët, Bukuria i shpenzon thuajse të gjitha për ilaçe. Për të ngrënë mbeten shumë pak.

“Sot kam ngrënë gjizë, vaj ulliri dhe pak domate, më solli goca pak vaj ulliri. Për darkë kur ta sajoj, po se sajova prapë do ha bukë me gjizë dhe me vaj, më ka sjellë goca nja 2-3 kile domate. Gjithë ditën unë ri, s’kam fuqi të bëj gjë, e patë dyshekun si e kam bërë, si grazhdi i qenit, sillem vërdallë, se s’më punon shpirti, më merret fryma”.

Ajo thotë se fëmijët nuk janë në gjendje të mirë ekonomike që ta ndihmojnë megjithatë, ata përpiqen ti gjenden me sa mundësi kanë.

“Më sjellin gocat ndonjë gjellë, si të munden, mi dërgojnë me ndonjë, ose vijnë 5 minuta me sjellin për të ngrënë dhe ikin. Këta thasët me miell kush ti ka sjellë? Mi ka sjellë djali i gocës. Kur kam fuqi e bëj vetë kur skam fuqi e kam blerë. Sot e kam blerë se skam fuqi të gatuaj. Mora dy bukë sot, po ha një javë me të, se kush ka për të ngrënë, unë kam mbaruar, s’më hahet asnjë gjë. Gjithë këto vezë, kam 4 pula, kam bërë pak fërgesë mbrëmë. Këtu fle, mbrëmë jam ndërruar njëqind herë, dua të shkoj sipër nuk kam drita, shkoj ditën se kam qejf të ri atje dhe nëse bie ndonjë tërmet shkoj të ri tek shtëpitë e reja. Po më thonë do vimë do vimë. Nuk kam dru ta ndez sobën, e ndez me këto të misrit, i kam marrë nga kunata ime”.

Tërmeti i 26 nëntorit ia dëmtoi banesën e saj dhe atë të djalit. Me fondet e rindërtimit, është përfshirë restaurimi i shtëpisë së të birit i cili pas tërmetit u largua në emigracion. Ajo i trembet ndonjë tjetër tërmeti e megjithatë nuk mund të jetojë në banesën e të birit sepse atje mungon energjia elektrike.

“Jo nuk ka ardhur askush. Kur u shkatërruan nga tërmeti më kanë dhënë batanije, jorgan, atë rezistencën ma ka dhënë shteti, më sollën cadrën në oborr, unë tani pres OSHEE-në kur vjen ai i dritave unë i them më qafsh nonën se po bie ndonjë tërmet se erdhi vakti i tërmetit prap, po po me të mira më përcjellin”. /abcnews.al/ 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!