Protesta kombëtare e 12 nëntorit e PD dhe PL është diskutuar nga drejtues të lartë të dy partive në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri. Anëtari i kryesisë së PD Enno Bozdo si dhe sekretari organizativ i Partisë së Lirisë Endrit Brahimllari theksuan që kanë sinjalizime që protesta do të jetë masive dhe madje pjesëmarrës do të jenë dhe shumë të majtë.
‘Organizimi i protestës ka kohë që ka nisur, si në të gjitha protestat e rëndësishme dhe të mëdha, gjëja më e rëndësishme është mesazhi, që po përcjellin te qytetarët, ngrihuni për dinjitetin tuaj, ngrihuni për të drejtat tuaja’, u shpreh Enno Bozdo.
Sipas tij të gjitha masat janë marrë dhe presin një reagim shumë të fortë nga shoqëria shqiptare për çdo gjë që po ndodh në këtë vend.
‘PD është e unifikuar, njerëzit janë bashkuar, baza është bashkuar, dhe çdo ditë që vijon, bashkohet edhe më shumë, deri më sot, edhe nga ai grup që janë mënjanë nuk kam dëgjuar arsye për të mos marrë pjesë në protestë. Ky është një çast shumë i madh që duhet të na bashkojë të gjithëve’, tha Enno Bozdo.
Ndërkohë që sekretari organizativ i Partisë së Lirisë Endrit Brahimllari u shpreh që ‘ne jemi pjesë e protestës sepse është dëshira e qytetarëve për të protestuar, ka një frymë kundërshtuese ndaj kësaj qeverie, për shkak të arrogancës, keqqeverisjes dhe edhe raportet e ndërkombëtarëve po e thënë këtë gjë’. Sipas tij është një ‘protestë ekonomike, për hallet e qytetarëve, unë besoj se do të jetë një ndër protestat më të mëdha për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës, është vrarë shpresa duke ikur nga vendi, do të jetë një protest masive, duket qartë dhe nga nervozizmi, uragani popullor ka dalë nga shtrati i tij, nuk është vetëm çështje për PD apo PL’ tha Brahimllari.
/abcnews.al/