A është universi një hologram?

schedule23:07 - 10 Nëntor, 2022

schedule 23:07 - 10 Nëntor, 2022

Universi është një hologram dhe gjithçka që ju shihni në të, përfshirë edhe këtë artikull që lexoni, është pjesë e një projeksioni të thjeshtë.  Në vitin 1997, fizikanti Juan Maldacena publikoi teorinë e tij, sipas të cilës ajo që ne shohim, që nga objektet që kemi pranë e deri tek trupat qiellorë miliona kilometra larg, janë një hologram 3D i një universi tjetër 2D.

Deri më tani, kjo teori nuk ishte testuar kurrë matematikisht. Por së fundmi, modelet studiuese të saj sugjerojnë se hipoteza kurajoze e Maldacena-s mund të jetë e vërtetë.  Sipas kësaj teorie, graviteti në univers ekziston falë valëve lëkundëse në hapësirë, që nga ana e tyre janë holograme të ndodhive dhe ngjarjeve që ndodhin në një tjetër kozmos të sheshtë.

Modeli i profesorit Maldacena sugjeron se universi ekziston në 9 dimensione në hapësirë dhe një në kohë.  Kur ka kaluar më shumë se 2 dekada e gjysmë nga hedhja e kësaj teorie, studiuesit japonezë u përpoqën ta zbatojnë atë në kushte laboratorike, duke siguruar të dhëna matematikore që sugjerojnë se parimi holografik i ndërtimit të universit tonë, mund të jetë i vërtetë.

Ky parim thotë se ekziston një sipërfaqe 2 dimensionale që nevojitet për të përshkruar një objekt 3 dimensional. Sipërfaqja 2 dimensionale, gjithnjë sipas kësaj teorie, është një tjetër univers, ndërsa ajo 3 dimensionale është universi ynë, gjithë ajo cka ne shohim.  Maldacena përforcon teorinë e tij duke pretenduar se të dhënat që përmbajnë përshkrimin e masës në hapësirë, si njeriu apo kometa, mund të ‘strehohen’ në zona të caktuara të universit të sheshtë.

Këto zona, thotë fizikanti, janë “Vrimat e zeza”. Në këto pjesë të universit, shkencëtari thotë se të gjitha objektet që bien në to, ‘ruhen’ si një kujtim të dhënash, jo si objekte fizike që vërtet ekzistojnë.  Me pak fjalë, i gjithë universi ynë mund të shihet si një “strukturë 2 dimensionale e projektuar në hapësirë”, ose më thjeshtë akoma, “universi në të cilin ne besojmë se jetojmë, është një projeksion 3D i një universi tjetër 2D”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!