“Një komb një gjuhë”, Begaj: Sa më të gjerë kufijtë e gjuhës, aq më të gjerë dimensionet e mendimit

schedule12:01 - 10 Nëntor, 2022

schedule 12:01 - 10 Nëntor, 2022

Presidenti i vendit, Bajram Begaj, në fjalën e tij në 50-vjetorin e  Kongresit të drejtshkrimit e ka cilësuar gjuhën shqipe si shpirtin dhe identitetin tonë kombëtar dhe një amanet të të parëve.

Begaj: 50-vjet më parë, Kongresi i Drejtshkrimit (1972), një ngjarje kulmore kjo në historinë tonë kombëtare, vendosi për platformën e gjuhës së njësuar shqipe. Ky kongres ishte pjesë e një rrugëtimi plot sfida të kombit tonë prej Kongresit të Manastirit (1908), i cili hodhi themelet për unifikimin e alfabetit, duke mënjanuar alfabetet e tjera, Kongresit të Elbasanit (1909), që shtroi rrugën e zbatimit të vendimeve të Kongresit të Manastirit me hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit (1909) për arsimim të gjerë publik, si dhe vendimeve historike të Komisisë Letrare të Shkodrës, e cila për herë të parë hodhi hapa të rëndësishëm drejt një politike gjuhësore unifikuese në shërbim të gjuhës së njësuar, si kërkesë që përligjte dhe e bënte funksional unitetin politik të kombit.

Sipas Presidentit, nevoja për të realizuar një gjuhë standarde ka qenë po aq organike sa edhe nevoja për ngritjen e shtetit dhe të arsimimit kombëtar.

Begaj: Kongresi i Drejtshkrimit mbetet një prej atyre zhvillimeve në të cilën aspekti kombëtar fitoi mbi atë ideologjik, një zhvillim i rëndësishëm për rrugëtimin e gjuhës shqipe moderne dhe unifikimin e saj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e diasporë. Prandaj firmëtarëve të këtij kongresi u takon mirënjohje historike. Gjuha e njësuar shqipe është testamenti i pesë shekujve histori shkrimi të shqipes, i zhvillimit intelektual mbarëshqiptar, i pjekurisë shkencore e atdhetare të botës sonë. Kujdesi për zhvillimin, përparimin, mbrojtjen e fisnikërimin e gjuhës letrare të njësuar është një detyrim kushtetues për ne, për studiuesit e institucioneve shkencore; është një çështje dinjiteti e përgjegjësie kombëtare për të gjithë folësit e saj, kudo që jetojnë.

Presidenti shtoi se standardizimi ndihmon në forcimin e identitetit të përbashkët gjuhësor e kombëtar, në një hapësirë gjithnjë e më të madhe folësish.

Kreu i shtetit pranoi se ky përvjetor vjen me sfida për shqipen dhe për bashkësinë e akademikëve dhe gjuhëtarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e diasporë.

Begaj: Nga pikëpamja demografike, ne shqiptarët nuk e kemi luksin të tregohemi të pavëmendshëm në nxitjen e varianteve, që zhvillohen në mënyrë të pavarur, a me numër më të tkurrur folësish. Por nuk kemi arsye përse të pranojmë ngurtësimin e shqipes. Ngurtësimi nuk e ndihmon zhvillimin dhe jetëgjatësinë e saj. Zhvillimi teknologjik, globalizimi dhe hapja ndaj kulturave dhe gjuhëve të tjera, komunikimi dhe ndërveprimi njerëzor, kanë marrë zhvillim si asnjëherë më parë, si në botën fizike dhe atë virtuale. Konteksti historik, politiko-social, gjuhësor e letrar, në 50 vitet e fundit, ka përjetuar ndryshime të qenësishme në mbarë hapësirën shqiptare. Në një botë, ku kulturat e mëdha po ngushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirat për kombe e kultura të vogla, nevoja për pasurimin e gjuhës dhe mbrojtjen e saj nga huazimet e panevojshme është e madhe.

Begaj theksoi se lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe duhet t’i jepet përparësi në shkolla, në mënyrë që brezi i ri, jo vetëm të marrë njohuri të thella të gjuhës amtare, por të edukohet me krenari për gjuhën dhe kulturën, së cilës i përket.

Begaj: Veçanërisht diaspora duhet mbështetur me politika e programe të posaçme. Edhe pse larg atdheut të të parëve, brezat e rinj duhet të rriten me vetëdijen se i përkasin të njëjtës botë shqiptare. Sa më të gjerë kufijtë e gjuhës, aq më të gjerë dimensionet e mendimit dhe shprehjes së një njeriu dhe të kombit. Shqipja është bota jonë – një botë që pret ta eksplorojmë dhe pasurojmë bashkërisht, deri në kufijtë e skajshëm të saj. “Një komb një gjuhë”

/Abcnews.al/