Biznesi i vogël dhe i mesëm ka paralajmëruar uljen e qepenave për një orë gjatë ditës së shtunë, në shenjë proteste ndaj paketës së re fiskale të qeverisë, e cila ka rritur gjobat si dhe ka vendosur fashën për energjinë.
I ftuar për këtë temë në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, ishte përfaqësuesi i i biznesit të vogël dhe të mesëm, Albert Nasto.
Ai deklaroi se gjobat që qeveria kërkon të vendosë për bizneset janë një çmenduri. Sipas tij duhet ndjekur një model europian, ku gjobat janë në proporcion me çmimin e produktit.
Sipas tij gjobat do të sillnin rritje të korrupsionit si dhe selektivitet.
Pjesë nga biseda:
Xhokaxhi: Pse tani kjo protestë?
Nasto: Ka disa faktorë. Është çështja e energjisë elektrike që ka propozuar qeveria dhe ERE e ka miratuar, si dhe paketa fiskale e cila ka disa projektligji e cila shkatërron biznesin e vogël dhe të mesme.
Xhokaxhi: Ku çojnë këto dy pika?
Nasto: Në shkatërrimin e biznesit, pasi do të rriten gjobat, nga 500 mijë lekë të vjetra deri në 15 mijë euro. Ne e kemi quajtur një çmendur por edhe veprim antikushtetues nga qeveria. Ne e kemi çuar në Gjykatë Kushtetuese dhe e kemi fituar. Para disa vitesh qeveria kërkoi 3 milionë lekë gjobë dhe burg, por kjo u anulua, pasi ishin absurde.
Xhokaxhi: Gjoba nuk është taksë, gjobën e merr kur e meriton, kur nuk lëshon faturë, kur ke punonjës në të zezë. Pse duhet të druhet biznesi nëse funksionon në rregull?
Nasto: Jemi dakord, por bota e qytetëruar BE nuk ka këto gjoba si ne. Nëse unë shes një laps që kushton 500 lekë të vjetra unë nuk mund të marrë një gjobë 1 milionë lekë. Gjobat duhet të jenë në proporcional. Gjobat duhet të merren në modele europiane, këto nuk janë modele europiane.
Xhokaxhi: Ju jeni dakord me ndëshkimin por që të jetë proporcionale?
Nasto: Po. Por këto gjoba frikësojnë biznesin, shtojnë korrupsionin. Pasi për t’iu shmangur institucioneve bëjnë pazare, gjobat do të jenë selektive. Ne nuk dimë të jetë gjobitur ndonjë djalë zyrtari, gjoba i shkon atij që nuk krahë. Pse duhet të shtojmë gjobat kur duhet të formalizojmë ekonominë shqiptare.
Xhokaxhi: Duket si përpjekje për ta formalizuar?
Nasto: Formalizmi i ekonomisë nuk vjen për një ditë dhe me gjoba, por vjen me punë çdo ditë.
/Abcnews.al/