Avokati Isuf Shehu, i cili po mbron çështjen e mbylljes së kolegjit të vajzave Mehmet Akif në një bisedë në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri ka theksuar që ka një zvarritje të proceseve gjyqësore në institucionet e drejtësisë shqiptare. Arsyet sipas tij janë të shumta, duke qenë se jemi duke kryer edhe procesin e reformimit të vetingut dhe nuk ka personel për çështjet që vijnë para gjykatës.
Avokati Isuf Shehu shprehu edhe paradoksin që shpesh përmbajnë vendimet e gjykatave, ku rreth 99.9% e çështjeve individuale përballë shtetit shqiptar, gjykata i refuzon. Sipas avokatit kjo vjen edhe si pasojë se gjykatat i trajtojnë cështjet në përgjithësi dhe jo si raste individuale. Sipas avokatit:
‘Gjykata duhet të marrë në konsideratë pretendimet, provat që paraqiten, dhe ta distancojë çështjen, çështja është që gjykatat, bëjnë një interpretim të përgjithshëm, pa marrë parasysh situatën’, tha avokati Isuf Shehu.
Sipas tij, kjo që po ndodh është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, duke mos marrë në konsideratë një parashikim ligjor, i përgjithson çështjet dhe nuk i merr individualisht. Gjithashtu, Gjykata e Lartë zakonisht nuk merr parasysh vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë apo vendimet e gjykatave të huaja. Këto, sipas avokatit Isuf Shehu janë rastet më paradoksale.