Në lidhje direkte në studion e ABC Live, pedagogu Ardian Isufi është shprehur se nesër pritet që të jetë momenti final i grevës së pedagogëve.
I pyetur nga gazetarja Sibora Bitri, nëse ai do të jetë pjesë e grevës së urisë për të cilën po përflitet së fundmi, ku 10 pedagogë mund të futen në grevë urie pedagogu Ardian Isufi u përgjigj që: “Së pari, sindikatat vazhdojnë po bëjnë mbledhjen e sindikatave në nivel kombëtar, nesër do të jetë një moment final, përsa i përket marrëdhënies së re që do të kenë stafet pedagogjike, përpara një qeverie që nuk dëgjon dhe nuk do të ketë as negocim”.
Sipas tij procesi i 9 pikave të peticionit është i tejkaluar dhe që tashmë pedagogët presin një ‘po’ apo një ‘jo’ për kërkesat që ata kanë parashtruar.
“Nëntë pikat nuk kanë vetëm pagën, dhe paga është vetëm njëra nga pikat. Në këtë kontekst, ajo që po bën qeveria realisht, nuk kemi një qëndrim ose kahje që të shikohet arsimimi si një prioritet kombëtar”, tha Isufi.
Për pedagogun Ardian Isufi, pedagogët janë për thelbin, prandaj dhe kanë nisur peticionin, duke e përshkallëzuar grevën ndaj një qeverie e cila nuk e kupton qëndrimin e tyre si duhet. Sipas tij qeveria po i sheh si armikun e radhës.
“Kemi qenë çdo ditë në shesh, kemi dalë me dinjitet, heshtje fisnike të misionit, nëse qeveria nuk jep një zgjidhje konkrete, jemi partnerë, duam që gjërat të përmirësohen, qeveria na ka parë si armiku i radhës”, tha Isufi. Për të, vetë qeveria po bëhet armiku i vetvetes.
/Abcnews.al/