Policia shqiptare e dorëzoi në kufi në fshehtësi të plotë, shqiptari që përdhunoi të renë greke po mbahet vetëm në qeli

schedule10:36 - 1 Nëntor, 2022

schedule 10:36 - 1 Nëntor, 2022

45-vjeçari shqiptar Spartak Dyrmishi, i cili akuzohet për përdhunimin e një 34-vjeçareje greke dhe tentativën për të përdhunuar një tjetër të re, po mbahet vetëm në një qeli në qendër të Athinës.

45-vjeçari ruhet nga efektivët e policisë, derisa në orën 17:00 të mbrëmjes së së martës pritet të transferohet në gjykatë. Fillimisht ai do të dërgohet në Prokurori, ku me gjasë do t’i jepet një afat për t’i kërkuar falje hetuesit.

Sipas Newsbomb.gr, gjatë gjithë transferimit në Athinë dhe gjatë ndalimit ai ka qenë plotësisht i qetë.

“Ai është në botën e tij. Sikur nuk e ka kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe pse po akuzohet”, tha një burim policor për median greke.

Arrestimi i tij u bë nga Policia shqiptare e cila bashkëpunoi me autoritetet greke. Policët shqiptarë e transportuan nën sekretin më të madh në kufi, ku në stacionin kufitar të Kakavisë kaloi kontrollin dhe u arrestua nga policët grekë.

Dyrmishi u largua nga Paleo Faliro, ku jetonte me të ëmën, drejt Shqipërisë, por autoritetet e identifikuan dhe zbuluan se ishte arratisur drejt vendlindjes, falë një tatuazhi në formë byzyluku në krahun e tij.

I arrestuari është i divorcuar me dy fëmijë. Ish-bashkëshortja dhe fëmijët e tij jetojnë në Shqipëri. Në Athinë ai jetonte me nënën e tij, e cila pasi mori vesh lajmin e rëndë tha se “nuk e pranon as të vdekur”. Vetë ai nuk punonte, ndërsa së fundmi duket se po merrej me problemet e alkoolizmit.

Mediat greke raportuan 45-vjeçari ishte bërë i dhunshëm dhe dyshohet se kishte rrahur edhe nënën e tij brenda shtëpisë ku jetonin. /abcnews.al