Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar pritet që të bisedojë me homologun e tij rus të hënën, pas vendimit të Moskës për t’u tërhequr nga marrëveshja e eksportit të grurit me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara.
Akar do të zhvillojë diskutime me autoritetet ukrainase si dhe me ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu të hënën në mbrëmje, sipas asaj që njoftoi Ministria Turke e Mbrojtjes.
“Pezullimi i kësaj nisme nuk do t’i sjellë asnjë të mirë as Rusisë, as Ukrainës apo askujt tjetër. Ne po vazhdojmë diskutimet tona me Ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës dhe Ministrin e Mbrojtjes të Rusisë. Do të flasim me ta dhe do të përpiqemi të sigurojmë që kjo nismë të vazhdojë.”
Presidenti turk Rexhep Erdogan u shpreh para një auditori më herët të hënën se Ankaraja është e vendosur të përpiqet të mbajë gjallë iniciativën e grurit të Detit të Zi, pavarësisht tërheqjes së Moskës.
Turqia dhe OKB-ja negociuan marrëveshjen në korrik për të ndihmuar në zbutjen e efekteve të pushtimit rus në Ukrainë në përkeqësimin e krizës globale të ushqimit. Zyrtarët perëndimorë e akuzojnë Moskën për përdorimin e ushqimit si armë në luftë. /abcnews.al/