Partia Demokratike ka bërë publik Udhëzimin për procesin e Primareve për Zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 14 maj.
Në udhëzimin e shpërndarë për mediat, PD sqaron se kandidatët për primaret duhet të plotësojnë një sërë dokumentacionesh duke nisur nga Formulari i Kandidimit, tek jetëshkrimi, aktiviteti profesional si dhe deklaratë për respektimin e Etikës dhe Integritetit.
Në njoftim bëhet me dije se afati përfundimtar për pranimin e kandidaturave në bashkinë Tiranë, Durrës dhe Elbasan, do të jetë data 06 nëntor 2022 ora 20:00.
“Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të kandidatëve për Primaret në bashkinë Tiranë, Durrës dhe Elbasan, do të jetë data 06 nëntor 2022 ora 20:00 në selinë qendrore të PD.
Pas këtij afati nuk do të pranohet asnjë aplikim, pasi dokumentacioni do ti kalojë kryesisë s PDSH për vlerësimin e kandidaturave”, thuhet në njoftim.
Për kandidatët e propozuar nga anëtarësia, ngarkohet që çdo degë e PD-së, në takimet që zhvillon me anëtarësinë, të marrë emrat se kë preferojnë ata të kandidojë për primaret.
Secili prej kandidatëve të propozuar, do të duhet të plotësojnë dokumentet e sipërpërmendura dhe do i dorëzojnë pranë Sekretariatit Organizativ në Qendër. Ndërsa për kandidatët e vetëpropozuar, ata duhet të paraqesin në degë dokumentet e kërkuara plus konfirmimin për vetëkandidimin.
Udhëzimet e PD:
Çdo degë mbledh propozimet për kandidatët e PDSH në Primaret 2023, në takimet me anëtarësinë në nivel seksioni/grupseksioni;
Emrat e kandidatëve të propozuar nga anëtarësia kontaktohen nga Dega duke i ftuar ata të plotësojnë dokumentat bashkëngjitur sa më poshtë:
Formularin e kandidimit (Deklarata Kandidatit);
Një jetëshkrim të përmbledhur me aktivitetin profesional dhe politik të kandidatit;
Deklaratë për respektimin e Etikës dhe Integritetit gjatë fushatës për Primaret 2023;
Vetëdeklarim për plotësimin e kushteve statutore për kandidim; Formularin vetjak në bazë të Ligjit 138/2015 “Për garantimin e Integritetit të personave që zgjidhen emërohen ose ushtrojnë fumksione publike”
Në rast refuzimi për të qënë kandidat, dega siguron nga i propozuari marrjen e një konfirmimi me shkrim për refuzimin e kandidatures;
Seti i plotë me dokumentat e kandidatëve do të dorëzohet pranë Sekretariatit Organizativ në Qendër. Afati për dorëzimin dokumentacionit do tju bëhet me dije në ditët në vijim;
Në rastet e kandidatëve të vetëpropozuar, ata dorëzojnë në degë dhe / ose pranë KOKOEs, në selinë qendrore, dokumentacionin e plotë sipas listes bashkangjitur. Çdo degë pranon kërkesat për vetekandidim, sigurohet që dokumentacioni i dorëzuar është i plotë dhe ja përcjell ato Sekretariatit Organizativ në Qendër.
Afatet e dorëzimit të dokumentacionit:
Në vijim të Udhëzimit 11 datë 24.10.2022 pika 4, ju bëjmë me dije se afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të kandidatëve për Primare në bashkitë Tiranë, Durrës dhe Elbasan, do të jetë data 06 nëntor 2022 ora 20:00, në selinë qendrore te PDSH.
Pas këtij afati nuk do të pranohet asnjë aplikim, pasi dokumentacioni do ti kaloje Kryesisë së PDSH për vlerësimin e kandidaturave.
Degët të marrin masa për përcjelljen e njoftimit te të gjithë kandidatet e interesuar duke organizuar aktivet e seksioneve dhe grupseksioneve.