Pse pushohen nga puna kur ndryshon forca politike? Debat në “Bardh a Zi”

schedule21:34 - 19 Tetor, 2022

schedule 21:34 - 19 Tetor, 2022

Pse kur ndryshon forca politike ata që i kanë shërbyer forcës politike të mëparshme duhet të ikin?

Të ftuar në emisionin “Bardh a Zi” në Abc të moderuar nga Ornela Gaçe dhe Erion Kristo mbrëmjen e sotme ishin  avokati Adriatik Lapaj, avokati Idajet Beqiri dhe pedagogu Erion Muça të cilët ndanë mendimet e tyre.

Pjesë nga diskutimi: 

Muça: Duhet të kishte një ndarje mes administratës politike dhe asaj civile. Administrata politike lëviz sa herë ndryshojnë titullarët e institucioneve, administrata civile nuk lëviz. Trupa politike ndryshon sa herë ndryshon drejtimi politik, kurse administrata civile si rregull nuk duhet të preket.

Lapaj: Ne bëmë ligjin për statusin e nëpunësit civil, i cili në versionin e parë ishte shumë i mirë. Rrugës e panë që nuk i hiqnin më njerëzit siç donin dhe i bënë ndryshime ligjit. Nëse doni një administratë ku hyn 20 vjeç dhe del kur del pension, kjo bëhet vetëm me ligj. Dhe ligji duhet të jetë kokëfortë përtej vullnetit të një partie që vjen apo që ikën.

Por si do bëhet administrata imune?

Beqiri: Me këtë klasë politike që kemi ne nga 32 vjet, kjo nuk bëhet. Nuk ka vullnet politik. Këta e kanë mendjen te vota dhe si të sundojnë. Që të sundosh mirë në këtë vend duhet të kesh edhe të tilla. Për rrjedhojë duket edhe sikur kemi plot vende pune.

Muça: Ai që ka të drejtën e firmës për të shkarkuar dikë nga puna, duhet të marrë përgjegjësi penale. Duhet të ndëshkohet. Në rast se nuk është ndëshkimi personal, nuk ka se si…

Lapaj: Mënyra se si kjo rregullohet është sipas ligjit. Në 2013  u bë një ligj shumë i mirë, por u prish rrugës se ndërhyri politika. Ligji i 2013 versioni i parë e rregullon përfundimisht këtë punë. Hyn në administratë 20 vjeç dhe ikën pasi del pension nëse nuk e shkel ligjin. Nëse e shkel ligjin ka dy rrugë; ose ikën administrativisht përmes një procedure të përcaktuar nga ligji dhe nëse je hequr padrejtësisht paguhet dëmi, ose t’i kapesh në faj penalisht për shkeljen që ke bërë dhe ti hiqesh për shkak se mbi ty rëndon një vepër penale. Në të kundërt çdo parti që do vijë do vazhdojë avazin. /Abcnews.al/