Nga Gerta Vasku
Tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia kanë shtuar numrin e personave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor në vend. Presidentja e Urdhrit të Piskologut, Valbona Treska thotë se situata në
Shqipëri është edhe më shqetësuese se shifrat që raporton Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Ne besojmë se jemi në shifra më të larta se OBSH. OBSH ka deklaruar 1 ne 8 persona. Ne mendojmë se jemi në shifra edhe më të larta. Ka ardhur momenti që të bëjmë nje depistim të popullatës”, tha Presidentja e Urdhrit të Piskologut.
Sipas psikologes adoleshentët dhe rinjtë janë ata që po shfaqin më shumë shqetësime të tilla.
“Grupmoshat e reja shfaqin shumë probleme. Është ulur, në fëmijë që sapo janë futur në pubertet”, shprehet Presidentja e Urdhrit të Piskologut.
Megjithatë Treska konstaton se prindërit janë bërë më të vetëdijshëm për konsultimet me mjekët. Edhe kolegë të tjerë thonë se vitet e fundit janë thyer tabutë. Shqiptarët po shkojnë gjithnjë e më shumë te psikologu, pa e konsideruar turp.
“Kanë ardhur gjithmonë duke u shtuar. Trendi i ndryshimit me bën optimiste. Ne tani po e mposhtim turpin dhe po e kërkojmë si shërbim efekte”, tha Presidentja e Urdhrit të Piskologut.
10 Tetori është dita Botërore e Shëndetit Mendor. Nën moton “Jeta është e ëmbël” në Tiranë u zhvillua aktiviteti sensibilizues me qëllim ndërgjegjësimin për trajtimin e kësaj sëmundje.
Sipas OBSH mbi 1 bilion njerëz në botë vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor.