Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Zbulohet se kush do ta qeverisë të ardhmen

schedule14:39 - 10 Tetor, 2022

schedule 14:39 - 10 Tetor, 2022

Nga Abishur Prakash “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Ndërsa vendet anembanë botës po synojnë kalimin drejt përdorimit në shkallë të gjerë të automjeteve elektrike, një bllok i ri gjeopolitik po formohet në Amerikën Latine që mund t`i ftojë që të gjithë për të investuar dhe bashkëpunuar, nga Kina tek kompania Tesla.



Kjo “aleancë e re e litiumit”, me në krye Meksikën, vend që e shtetëzoi industrinë e vet të litiumit që në fillim të këtij viti, do ta bashkonte atë me Argjentinën, Bolivinë dhe Kilin, 4 vendet që kontrollojnë pjesën më të madhe të burimeve të litiumit në botë. Kjo aleancë ka për qëllim të drejtojë prodhimin dhe tregtinë e një lënde të parë, që po bëhet me shpejtësi një nga mallrat më të rëndësishëm në botë.

Por kjo nuk është një ngjarje e izoluar. Bota po hyn në një periudhë të “globalizimi vertikal”, kur blloqe të reja gjeopolitike po formohen në të gjithë globin. Dhe ndërsa bota ndahet në grupe të shumta, këto blloqe të reja – si zyrtare (pra aleancat) dhe jozyrtare (korridoret tregtare) – mund të ri-orientojnë gjithçka, nga zinxhirët e furnizimit tek qëndrueshmëria e tyre.

Në rajonin e Indo-Paqësorit, Shtetet e Bashkuara kanë propozuar krijimin e “Chip 4”, një aleancë për prodhimin dhe tregtimin e gjysmëpërçuesve me Japoninë, Korenë e Jugut dhe Tajvanin, me synimin krijimin e zinxhirëve të furnizimit për çipat, që nuk mbështeten tek Kina, dhe ndalimin e rritjes teknologjike të Pekinit.

Aleanca po nxitet edhe nga fakti që “Semiconductor Manufacturing International Corporation” – kompania prodhuese më i madhe e çipave në Kinë – ka zbuluar së fundmi një çip të avancuar që përdoret në fushën e monedhave dixhitale, në kundërshtim me sanksionet e SHBA-së.

Ndërkohë në shoqërinë kineze po shfaqen idetë e reja radikale, siç është vendosja e një takse 400 për qind mbi telefonat inteligjentë që shiten në vend, por që përdorin çipa të huaj dhe jo ata kinezë.

Nga ana tjetër, në Lindjen e Mesme, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë bashkuar forcat me Indinë dhe SHBA-në për të krijuar “I2U2”, një bllok i ri për të çuar përpara inovacionin në teknologji. Takimi i parë i grupit përfundoi me një sërë marrëveshjesh, duke nisur nga ndërtimi i “parqeve ushqimore” nga ana e Emirateve të Bashkuara Arabe që përdorin “teknologji klimatike inteligjente”, në të gjithë Indinë, deri tek financimi i projekteve të energjisë diellore nga SHBA-ja në Indi, me synim krijimin e opsioneve më të qëndrueshme energjitike për botën.

Dhe në Azinë Qendrore, ndërsa Kazakistani dëshiron që të ridizenjojë fluksin e tregtisë fizike dhe dixhitale në të gjithë Euroazinë, Kina ka ndërtuar atë që njihet si “Korridori i Veriut” – që lidh Azinë dhe Evropën nëpërmjet Rusisë dhe Bjellorusisë – si pjesë e Nismës së Brezit dhe Rrugës (BRI) që po zbatohet prej disa vitesh.

Por teksa lufta në Ukrainë po e bën këtë një korridor të paqëndrueshëm, Kazakistani ka propozuar si alternativë krijimin e “Korridorit të Mesëm” – gjithashtu brenda kontekstit të BRI – që do të lidhte Azinë dhe Evropën përmes Turqisë.

Natyrisht, kjo krijon një enigmë të re për SHBA-në, e cila dëshiron që Evropa të shkëputet nga Rusia, por që mund të përfundojë duke i nxitur akoma më shumë kompanitë evropiane të bashkëpunojnë me Kinën. Me gjithë këto blloqe të reja emergjente, bota po distancohet nga qasja “një model për të gjithë’.

Epoka e vjetër e globalizimit po merr fund, dhe aleancat dhe korridoret e reja që po formohen vetëm sa do të nxisin më shumë fragmentimin global, duke shkaktuar tronditje të mëdha për qeveritë dhe bizneset. Së pari, shumë nga këto blloqe të reja ekskluzive të krijuara nga SHBA nuk përfshijnë më aleatët tradicionalë të Amerikës, si Kanadaja, Franca apo Gjermania. Përkundrazi, përveç Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ja po forcon bashkëpunimin me vendet e rajonit të Indo-Paqësorit, gjë që paraqet një dilemë për partnerët e saj të vjetër në Evropë dhe Lindjen e Mesme: A duhet të qëndrojnë me SHBA-në, apo të fokusohen diku tjetër?

Po ashtu, kompanitë do të ndikohen nga secili prej këtyre blloqeve gjeopolitike ku do të bashkohen qeveritë e tyre, dhe si të tilla, ato po krijojnë gjithashtu blloqet e tyre.

Një pakt tashmë është nënshkruar midis kompanive “SK Telecom” dhe “Deutsche Telekom” për të ndërtuar një “aleancë metaverse”, ndërsa kompani si Tesla kanë shprehur interes në ndërtimin e zinxhirëve të tyre të furnizimit me lëndën e parë.

Së fundmi, ndërsa të gjithë sytë janë drejt Perëndimit apo Azisë, edhe Afrika po hyn në qendër të vëmendjes. Kohët e fundit, Bashkimi Afrikan (AU) mbajti samitin e tretë të Integrimit Afrikan, me temë integrimit e këtij kontinenti dhe procesi i de-globalizimit.

Dhe AU tashmë po ua bën të qartë kompanive të kontinentit, se ato duhet të mbështeten në të ardhmen tek vetja dhe të mos varen nga pjesa tjetër e botës. Ekonomia globale ka qenë e hapur dhe e aksesueshme për dekada të tëra. Por tani është duke ndodhur një riorganizim i ri, i cili po e ndan botën përgjatë linjave të reja ndarëse.

Shumë nga këto vija ndarëse janë ideologjike. Një ndryshim shumë i madh krahasuar me dekadat e fundit, kur po dukej se ideologjia ishte duke u zhdukur. Po aq e rëndësishme: është e qartë se vendimet që do të marrin këto blloqe të reja nuk do të prekin vetëm vendet apo kompanitë, por edhe njerëzit e zakonshëm.

Në të ardhmen e afërt, do të ketë shumë blloqe që do të konkurrojnë midis tyre për të qeverisur botën. Dhe këto blloqe do të duhet që të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin, në një kohë që do të gjejnë mënyra krijuese për të sjellë vendet – dhe kompanitë – në qasjen e tyre. Pyetja është se deri ku do të shkojnë këto blloqe për të zbatuar idetë e tyre? Dhe, çfarë ndodh nëse bashkëjetesa rezulton në mënyrë të pashmangshme e vështirë?

Shënim:Abishur Prakash, bashkëthemelues i Qendrës për Inovacionin e së Ardhmes (CIF), një kompani këshilluese me qendër në Toronto të Kanadasë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!