Kongresmenët amerikanë Ritchie Torres, Robert Aderholt, Jim Himes dhe Lisa Mc.Clain kanë dorëzuar në Kongresin Amerikan rezolutën që dënon sulmet kibernerike të Iranit ndaj Shqipërisë.
Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila ka falënderuar kongresmenët, ndërsa shton se është thelbësore që Irani të japë llogari për veprimet e tij.
“Mirënjohje për Kongresmenët Ritchie Torres Robert Aderholt, Jim Himes, Lisa Mc.Clain për dorëzimin e rezolutës që dënon sulmet kibernetike kundër Shqipërisë. Është thelbësore që Irani të japë llogari për veprimet e tij. Mirëpresim mbështetjen e Kongresit të SHBA-ve dhe përgëzojmë punën e Grupit që mbulon Shqipërinë”, shkruan ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.
Projekt-rezoluta e hartuar me nismën e ligjvënësit nga Nju Jorku Ritchie Torres kërkon vazhdimin e mbajtjes para përgjegjësisë për ata që organizuan sulmet si edhe bën thirrje për forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë.
“Është thelbësore që të dënojmë sulmin e shumëfishtë kibernetik iranian ndaj Shqipërisë. Irani në mënyrë metodike u përpoq të minonte Shqipërinë kur ndërmori akte të rrezikshme kibernetike. Irani është një regjim i rrezikshëm që do të vazhdojë përpjekjet për të minuar dhe shkatërruar Shqipërinë nëse nuk frenohet”, deklaroi pak ditë më parë në një intervistë ligjvënësi Torres në një deklaratë për Shqipërinë./abcnews.al/