Nga Elidon Berberi
Shumë toka në Qarkun e Gjirokastrës kanë mbetur djerr. Kjo për shkak të braktisjes masive të fshatrave.
Një nga familjet që nuk është larguar nga vendi dhe vazhdon të mbjellë tokën në Nepravishtë është ajo Beqari.
Klinton Beqari zotëron një sipërfaqe prej 500 ha tokë pranë luginës së Drinos. Pjesën më të madhe e ka mbjellë me drithëra, të cilat ka nisur ti korrë.
Pas rritjes së çmimeve të plehrave kimikë dhe naftës thotë se rrezikon të dalë me humbje pasi këtë sezon blerësit ende nuk i kanë caktuar çmimet.
“Puna është tek çmimi. Grurin e kemi të magazinuar dhe misri është ende në fushë se kemi korrur akoma. Do presim se nuk ka dalë çmimi aktual. Je i varur, thotë tregtari do e marr me këtë çmim, se më ketë më intereson, s’ka as sindikata. Shpresoj që të vendoset çmim i mirë, në të kundërt do jetë vit i vështirë, se naftën, plehrat i kemi marrë shumë të shtrenjta.”
Shqetësim për Klitonin është edhe mungesa e punëtorëve.
“Në Shqipëri nuk ka më punëtorë dhe jemi të detyruar ti bëjmë të gjitha vetë autokombajnat, traktorët i manovrojmë vetë.”
Beqari sqaron se ka aplikuar për të përfituar mbështetje financiare. Është i mendimit se 30 mijë lekët që jep qeveria për 1 hektarë të mbjellë me grurë nuk kompenson shpenzimet e tyre.
“Ndihmë nga qeveria ka, por shumë e vogël, në krahasim me shtetasit fqinj, Greqinë, Kosovën, Maqedoninë. Ata janë më mirë nga ne. Atje bujqësia është më mirë se i kemi parë vetë.”
Në Luginën e Drinos në komunizëm mbillej mbi 10 mijë hektar drithëra. Me kalimin e viteve sipërfaqja u reduktua ndjeshme dhe nuk i kalon 1.300 hektarët./abcnews.al/