Europiani U-19 për femra/ Krepi: Kemi eksperiencë e kualitet në grup, kërkojmë kualifikimin!

schedule12:45 - 4 Tetor, 2022

schedule 12:45 - 4 Tetor, 2022

Shqipëria U-19 për vajza do të zhvillojë ditën e nesërme ndeshjen e parë ndaj Letonisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshe.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Kreshnik Krepi ka nisur prej disa ditësh grumbullimin në kompleksin “Tropikal” në Durrës, duke zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë.

Në prag të sfidës së parë, që është edhe shumë e rëndësishme për vajzat kuqezi për ta nisur sa më mbarë rrugëtimin në këto kualifikuese, Kreshnik Krepi ka dhënë një prononcim të shkurtër për fshf.org.

Trajneri shqiptar tregon gjendjen e skuadrës së tij në prag të kësaj ndeshje, si edhe se si kanë shkuar përgatitjet përgjatë këtyre ditëve, teksa thekson se skuadra në këto kualifikuese është rinovuar me emra të rinj.

“Skuadra përgjatë gjithë ditëve të grumbullimit ka qenë mjaft e mobilizuar dhe e përqëndruar në çdo detyrë të dhënë. Kemi zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë, për t’i kuptuar sa më mirë detyrat pasi dua të theksoj që këtë vit, ndryshe nga kualifikueset e kaluara, skuadra është rinovuar me emra të rinj.

Përveç vajzave të datëlindjes 2004, në përbërje kemi edhe vajza të datëlindjes 2005. Pra, këtë vit do të kemi një skuadër të re dhe me eksperiencë dhe do të mundohemi që me eksperiencën e ‘veterenave’ të ekipit t’i marrim maksimumin kualifikueseve. Edhe pse gjendja fizike në fakt nuk është në nivelin e duhur, besojmë që me eksperiencën dhe kualitetin që ka grupi, ne do të bëjmë një paraqitje dinjitoze, në raport edhe me nivelin e kundërshtareve tona” – thotë trajneri Krepi në prononcimin e tij për fshf.org.

Sa i përket objektivave në këto kualifikuese, tekniku shqiptar shprehet se synim kryesor është kualifikimi dhe vendi i parë, duke marrë parasysh që eliminatoret zhvillohen në Shqipëri. Por ai sugjeron që ndeshjet të merren me radhë, duke marrë parasysh edhe vështirësinë për të zhvilluar tre ndeshje në 6 ditë.

Ajo çka dua të theksoj fillimisht dhe ajo që u kam thënë edhe vajzave që në ditën e parë të grumbullimit është se duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Është pak e vështirë, pasi do të na duhet të luajmë tre ndeshje në vetëm gjashtë ditë, duke marrë parasysh që edhe gjendja jonë fizike nuk është në nivelin e duhur. Kemi shumë pak kohë për t’u përgatitur nga njëra ndeshje në tjetrën, por kjo vlen vetëm për ne, por edhe për kundërshtaret tona. Ne duhet të vlerësojmë çdo ndeshje dhe sigurisht që duke marrë parasysh se jemi më të favorizuar se kundërshtaret, për shkak se ky mini-turne zhvillohet në Shqipëri, objektiv kryesor kemi kualifikimin. Vendi i parë në grup do të na dërgonte menjëherë në Ligën A, që do të ishte diçka fantastike për ne. Mobilizimi ynë është 100% për t’i marrë maksimumin këtyre ndeshjeve dhe pa dyshim që do t’ia marrim!” – theksoi në fjalën e tij trajneri i ekipit kombëtar U-19 për vajza, Kreshnik Krepi. /abcnews.al