Përmes muzikës më të mirë shqiptare, greke dhe italiane në Fier janë përcjellë mesazhe për paqen dhe fqinjësinë mes popujve.
Mbrëmjen e kaluar artdashësit fierak kanë shijuar koncertin e tenorëve Kastroit Tusha, Josif Gjipali dhe okestrës italiane “Magna Grecia”, nën dirigjmin e Piero Romanos. Ata performuan këngët lirike më emblematike të tre shteteve.
“Është një okazion i madh ky në vitin e 7-të të pranisë së orkestrës “Magna Grecia” (Manja Greçia) në Ballkan. Kjo falë një rrjeti energjik, të udhëhequr nga palodhuri Arjon Shosha. Ne jemi vërtet të kënaqur, që sjellim këtë koncert, le të themi të ri, në krahasim me 7 vitet e kaluara. Përcjellim nëpërmjet muzikës, historinë, që bashkon në origjinë popujt tanë”, tha Romani.
Regjisori Milto Kutali thotë se në këtë kohë kur në Ballkan dhe botë disa shtete janë përfshirë në luftë dhe konflikte, një koncert i tillë është shumë i nevojshëm.
“Të flasësh sot për paqen dhe të organizosh një koncert për paqen, më duket se është kontributi më i mire në këtë moment të vështirë që po përjeton, jo vetëm kjo bota jonë e vogël lindore, por edhe një pjesë e mirë e tërësisë së globit”, thotë Kutali.
Pas Fierit, Koncert për paqen në tur, do të mbahet në Janinë dhe Prevezë, aty ku jetojnë shumë shqiptarë. /abcnews.al