Emisioni ABC Story i gazetarit Ferdinand Dervishi vjen këtë mbrëmje, në orën 22:15, me një seri të tretë, që sjell sërish disa histori pikante mashtruesish shqiptarë e të huaj.
Në pjesën e parë të dokumentarit ka zënë vend historia e mashtrimit të Nikola Arsidit, një shtetasi francez, i cili në vitin 1991, i premtoi shtetit shqiptar negocimin e borxhit të jashtëm, që në këtë kohë kapte shifrën 450 milionë dollarë. Porse Nikola Arsidi dhe një numër zyrtarësh shqiptarë e shfrytëzuan këtë mundësi për të vjedhur të hollat e shqiptarëve në një kohë që ata nuk kishin as bukën e gojës të siguruar. Shuma e përvetësuar nga mashtruesi francez dhe bashkëpunëtorët shqiptarë ishte 1.6 milionë dollarë.
Kryesisht skemat mashtruese kanë për qëllim fitimin e të hollave, në disa raste përjetimin e aventurës, por, në minorancë bota ka njohur edhe mashtrimin për të vënë në lojë të tjerët dhe njëkohësisht për të mbushur veten me kënaqësi shpirtërore.
Në pjesën e dytë të dokumentarit është përzgjedhur të vendoset një histori e vitit 2007, që ka në qendër mashtrimin me gjetjen e dokumentit origjinal të pavarësisë, një lojë ende e paqartë komunikimi mes ish-kryetares së Parlamentit shqiptar Jozefina Topalli dhe historianit Kristo Frashëri.
Në pjesën e tretë është vendosur një mashtrim spektakolar me lëshimin e diplomave dhe titujve honorifikë, kundrejt pagesës, nga një organizatë me qendër në Tiranë, e cila ka peshkuar jo vetëm politikanë dhe figura të njohura publike në Shqipëri e Kosovë, por edhe në Itali./abcnews.al