Britanikët të shqetësuar për amnistinë fiskale, zbardhet takimi i ambasadorit me Alibeajn  

schedule18:18 - 27 Shtator, 2022

schedule 18:18 - 27 Shtator, 2022

Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë ka zbardhur takimin midis ambasadorit Alastair King-Smith dhe kreut të grupit të PD, Enkelejd Alibeaj. Selia diplomatike britanike përmes një deklarate thekson se u diskutuan situata aktuale politike dhe reformat.

Ambasadori ka vlerësuar rëndësinë e rolit të opozitës në forcimin e demokracisë dhe institucioneve të Shqipërisë.

Sipas njoftimit mes ambasadorit dhe Alibeajt është diskutuar gjithashtu lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe emigracionit të paligjshëm.

Në fokus të këtij takimi ka qenë po ashtu nisma e qeverisë për amnistinë fiskale, të cilën ambasadori britanik e ka cilësuar si shqetësuese.

“Pas fillimit të sesionit të ri parlamentar, Ambasadori Alastair King-Smith u takua me Kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, për të diskutuar situatën aktuale politike dhe reformat prioritare për Shqipërinë. U diskutua rëndësia që të gjitha partitë të veprojnë në interes të qytetarëve, të promovojnë reformën zgjedhore dhe të përzgjedhin kandidatë për zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme pa asnjë lidhje me kriminalitetin apo korrupsionin.

Ambasadori vlerësoi rëndësinë e rolit të opozitës në forcimin e demokracisë dhe institucioneve të Shqipërisë. U diskutuan gjithashtu mënyrat për të adresuar sfidat e përbashkëta, duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe emigracionit të paligjshëm, si dhe shmangien e ligjeve që do të ndërlikonin të tilla përpjekje, duke përfshirë propozimet shqetësuese për një amnisti fiskale”, thuhet në deklaratë. /abcnews.al