Skepticizmi ndaj informacionit qeveritar në rrjetet sociale

schedule11:03 - 24 Shtator, 2022

schedule 11:03 - 24 Shtator, 2022

Nga Emirjon Senja

Pandemia dhe rritja e retorikës populiste mes politikanëve për shkak të problemeve që pasuan është shoqëruar me një skepticizëm të shtuar ndaj vendimeve të qeverive në botë si edhe informacionit me burim qeveritar.

Përballë vendimeve të dhimbshme të qeverive për të mbajtur fillimisht shifrat e pandemisë nën kontroll dhe më pas ruajtjen në tregues të pranueshëm të financave publike pas problemeve të shkaktuara nga pandemia dhe lufta në Ukrainë nga njëra anë dhe teorive konspirative nga ana tjetër, besimi i qytetarëve ndaj institucioneve publike si edhe informacionit të ardhur prej tyre është në rënie[1].

Studimet[2] tregojnë se besueshmëria ndaj informacionit me burim qeverinë shkon në mënyrë të zhdrejtë në raport me nivelin e të ardhurave dhe zhvillimin e një shoqërie.

Në rastin tonë, OKB e rendit[3] Shqipërinë në listën evendeve që kanë ende shumë për të bërë sa i përket zhvillimit të shoqërisë. Ndër indikatorët që merren në konsideratë në këtë tregues janë edhe të ardhurat si edhe niveli i shkollimit. Të dhënat tregojnë se shqiptarët kanë një besim të ulët ndaj institucioneve publike[4], partive politike apo institucioneve të drejtësisë, gjë që konfirmohet edhe përmes reagimeve në rrjetet sociale.

Si komunikon qeveria shqiptare me qytetarët e saj

Shteti shqiptar ka investuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve qeveritare ndaj qytetarëve në kuadër të projektit e-governance[5]. Së fundmi, pjesa dërrmuese e shërbimeve ofrohen online përmes platformës e-albania, megjithatë, pavarësisht investimeve të shumta në këtë drejtim si edhe përcaktimit të digjitalizimit si pjesë të një strategjie të rendësishme kombëtare, komunikimi i qeverisë me qytetarët, në pjesën më të madhe të rasteve bëhet përmes kanaleve të tjera të komunikimit, ku spikasin rrjetet sociale.

Drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar komunikojnë me qytetarët përmes rrjeteve sociale. Vëzhgimet[6] tregojnë se ka një orientim të mirëfilltë të komunikimit të tyre me qytetarët nga faqet personale të rrjeteve sociale dhe jo ato të institucioneve duke investuar shuma të konsiderueshme në këtë drejtim.

Forma tjetër e komunikimit ka qenë ajo përmes SMS-ve direkte, siç u aplikua gjatë periudhës së pandemisë, apo fushatave sensibilizuese në mediat audivizive krahas publikimeve në gazetën zyrtare.

Rrjetet sociale

Përdorimi i rrjeteve sociale kryesisht për të komunikuar me qytetarët ka ndihmuar në bjerrjen e besimit të përdoruesve të këtyre platformave ndaj mesazheve të ardhura nga drejtuesit e lartë të shtetit apo personazhe të njohura politike.

Vetë mënyra se si funksionon kjo platformë e komunikimit, për shkak të shtrirjes (reach) së lartë që ka te përdoruesit bën që herë pas here publikimi i informacioneve të pavërteta të dëmtojë opinionin por edhe të shkaktojë kosto në drejtim tërritjes së skepticizmit sa i përket publikuesve të tyre.

Shembujt janë të shumtë, por po përmendim dy prej tyre.

I pari lidhet me një publikim të kryeministrit Rama gjatë pandemisë në Facebook sipas të cilit, policia spanjolle rrihte qytetarët që pranonin rregullat e karantinës[7].

Pas disa orësh u konfirmua se në fakt kishim të bënim me një nxjerrje nga konteksti të asaj ngjarjeje dhe gjithçka ishte zhvilluar në një realitet krejt tjetër.

Rasti i dytë lidhet me një deklaratë mbi dënimin me burg të personave që e mbanin kondicionerin mbi 19 gradë për ngrohje në Zvicër. Lajmi rezultoi i pavërtetë sipas verifikimeve të bëra më pas nga Faktoje.al duke detyruar kryeministrin të bëjë një hap pas[8].

Qytetarët, skeptikë ndaj informacioneve mbi sulmet kibernetike dhe ndryshimeve nëçmimin e energjisë elektrike

Opinioni publik shqiptar ka qenë i zënë me dy ngjarje të rendësishme gjatë kësaj vere, siç është diskutimi për ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike për një kategori të caktuar abonentësh familjarë si edhe sulmi kibernetik nga Irani ndaj infrastrukturës së shërbimeve qeveritare online në Shqipëri.

Për të dyja rastet ka patur një informacion të bollshëm në dukje, edhe pse jo shterruese dhe transparent nga institucionet qeveritare, të cilat i janë drejtuar opinionit publik përmes kanaleve të ndryshme të komunikimit.

Megjithatë, na duhet që të fokusohemi në njërin prej tyre, siç janë rrjetet sociale, forma më e përdorur e ministrave dhe kryeministrit të Shqipërisë për të fotografuar se si kanë reaguar qytetarët ndaj informacionit qeveritar.

Për shkak të natyrës së sulmit si edhe vendimit për energjinë elektrike, në të dyja rastet, ka qenë qeveria ajo që ka patur ekskluzivitetin e informacionit për qytetarët, i cili në pas është pasqyruar nga mediat përmes publikimeve në faqet e Facebook-ut.

Sulmet kibernetike

Për të parë se si kanë reaguar qytetarët ndaj informacioneve mbi sulmin kibernetik të Iranit, përmes platformës “BuzzSumo” janë analizuar 2 651 artikuj të publikuara nga mediat online shqiptare në rrjetin sociale Facebook për një periudhë kohore gjashtë mujore, të cilat kanë patur në titull fjalën “Irani”.

 

Ecuria e lajmeve të publikuara gjatë vitit të fundit me fjalën kyçe “Irani” në titull. Burimi: BuzzSumo

Pjesa më e madhe e artikujve shënohet në shtator 2022, ku deri më datë 15 numërohen 1 660 publikime, ndërsa pjesa tjetër janë kryesisht në korrik kur nisi sulmi dhe gusht.

Në total ka patur rreth 68 mijë ndërveprime nga qytetarët në Facebook në lidhje me këto lajme gjatë periudhës së vëzhguar.

Për të njëjtën periudhë kemi vëzhguar edhe mënyrën se si ka reaguar audienca ndaj lajmeve që kanë të bëjnë me sulmin kibernetik përmes “emoji-ve”, të cilat janë forma që platforma Facebook u mundëson përdoruesve për të shprehur qendrimet e tyre ndaj një lajmi krahas komentit.

Facebook i ofron përdoruesve pesë mënyra treagimi përmes “emoji-ve”, krahas butonit “like”.

Përmes “emoji” përdoruesit mund të reagojnë duke dhënë një “zemër”, që do të thotë se e pëlqejnë një lajm të tillë; forma e dytë e reagimit është përmes emoj-it “care”, që do të thotë se ka interes për një zhvillim të tillë; forma e tretë është një fytyrë që qesh me të madhe, e cila në rastin konkret përkthehet kryesisht me skepticizëm ndaj lajmit; forma e katërt është “sad”, ku zakonisht shprehet keqardhje për ngjarjen e ndodhur dhe forma e pestë është “emoji” “angry”, e cila në rastin tonë është përdorur nga audience si një mënyrë e shprehjes së zemërimit ndaj medias për publikimin e lajmeve të tilla.

Analiza e reagimeve na nxjerr në përfundimin se në periudhën e marrë në vëzhgim, audienca shqiptare ka qenë kryesisht skeptike ndaj informacionit qeveritar në lidhje me sulmin kibernetik të Iranit në Shqipëri.

Reagimet e lexuesve përmes “emoji-ve” në Facebook ndaj lajmeve mbi sulmet kibernetike në Shqipëri

Nga totali i ndërveprimeve, 70% e tyre kanë qenë përmes “emoji-t” “haha” , ç’ka tregon një mosbesim apo qasje me ironi ndaj asaj që kanë lexuar duke marrë parasysh se në ekran kishin një informacion qeveritar mbi një sulm kibernetik ndaj Shqipërisë dhe jo diçka për të qeshur.

Nga këta, 13% kanë shprehur hapi duke shtypur butonin “wow”, kurse 10% janë shprehur të “irrituar” për çfarë kishte ndodhur.

Energjia elektrike

Sa i përket informacioneve qeveritare mbi çmimin e energjisë elektrike, audienca ndahet thuajse përgjysmë në lidhje me qendrimet ndaj tyre. Për të njëjtën periudhë janë konstatuar 969 publikime në rrjetin social Facebook me togfjalëshin “çmimi i energjisë” duke gjeneruar një total prej 24 822 ndërveprimesh nga lexuesit.

Ecuria e lajmeve të publikuara gjatë vitit të fundit me fjalën kyçe “Energjia elektrike” në titull. Burimi: BuzzSumo

Nga këto, 46% e atyre që kanë reaguar kanë shkelur butonin “haha” duke treguar mosbesim kryesisht ndaj argumenteve të përdorura në komunikimin publik nga organet qeveritare në lidhje me ndryshimet në çmimin e energjisë elektrike.

Duhet theksuar se një pjesë e mirë e reagimeve kanë ardhur ndaj lajmeve që kanë të bëjnë me këshillat për mënyrën se si duhet kursyer energjia elektrike.

Reagimet e lexuesve përmes “emoji-ve” në Facebook ndaj lajmeve mbi “energjinë elektrike”

Nga ana tjetër, 40% e atyre që kanë reaguar, kanë shkelur butonin “angry-i/e nxehur” duke mos u pajtuar me informacionin e lexuar.

Ajo që verehet  në të dyja rastet e marra si shembull ka të bëjë me faktin se mungon referenca përmes domaineve që tregon se informacioni qeveritar buron kryesisht përmes rrjeteve sociale apo aplikacioneve të komunikimit si whats app dhe jo nga faqet e webit, të cilat më pas mund të përdoren me link si referencë nga mediat.

Në tërësi, ashtu siç edhe mund të pritej, vërehet një mosdakordësi nga qytetarët ndaj këtij vendimi si edhe argumenteve të institucioneve publike për ndryshimet në çmimin e energjisë elektrike.

Ndërkohë, në të dyja rastet, si për sulmin kibernetik ashtu edhe për ndryshimet në çmimin e energjisë elektrike, vërehet një shkallë e lartë skepticizmi te qytetarët në raport me informacionin që rrjedh nga institucionet publike për tematikat në fjalë e nxitur kjo edhe nga një përmbajtje shterruese dhe transparente nga burimet e informacionit.

[1]https://link.springer.com/article/10.1007/s12144-021-02198-1

[2]https://www.pewresearch.org/fact-tank/2019/07/22/key-findings-about-americans-declining-trust-in-government-and-each-other/

[3]https://hdr.undp.org/content/human-development-report-2021-22?fbclid=IëAR2ds75YGsMNFPiblOAAmfMrfVUfc2Tk303QKmRX4CDhsOVxJxnm7afVUmQ

[4]https://idmalbania.org/wp-content/uploads/2021/11/IDM-OpinionPoll-2020-shqip-1.pdf

[5]https://www.researchgate.net/publication/344925768_Accessing_Administration’s_Information_via_Internet_in_Spain

[6]https://www.reporter.al/2022/09/12/kabineti-rama-avancon-faqet-private-ne-rrjetet-sociale-me-fonde-publike/

[7]https://www.reporter.al/2020/03/21/kryeministri-edi-rama-kerkon-ndjese-pasi-kapet-duke-prodhuar-fake-neës/

[8]https://faktoje.al/rasti-i-zvicres-kryeministri-rama-pranon-se-mund-te-kete-rene-pre-e-dizinformimit-dhe-kerkon-ndjese/