Këshilltari i Zelensky-t: Tani negociatori ynë për paqe është ushtria, lufta mbaron me çlirimin e Krimesë

schedule11:01 - 20 Shtator, 2022

schedule 11:01 - 20 Shtator, 2022

Nga Francesco Battistini “Corriere Della Sera

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Kiev – Dy helmeta në tavolinë. Në trup ka veshur me bluzë ushtarake ngjyrë jeshile si presidenti Zelensky. Dritarja është zënë në pjesën më të madhe me thasë më rërë. Rreth e rrotull, në kodrën e Kievit, spikat heshtja e një qyteze ku nuk qarkullon asnjë makinë dhe që ruhet nga qindra ushtarë.

Përpara hyrjes së kompleksit, proteston ulur familja e një të burgosuri lufte që kërkon të pritet nga autoritetet. Në kopshte, një buldozer po gërmon një llogore të vogël. Që nga 24 shkurti, dita e pushtimit rus, jeton në këto dhoma të pallatit presidencial të ndërtuar në epokën sovjetike Mykajlo Podolyak.

Podolyak, 50 vjeç, ka punuar dikur gazetar në Bjellorusi, dhe ka pasur miqësi me diktatorin Lukashenko, sot është këshilltari më i dëgjuar i presidentit Zelensky, njeriu i dytë më me ndikim në Ukrainë dhe i dërguari special për negociatat (deri më sot inekzistente) me rusët. “Në këtë fazë të luftës, e dini se cili është negociatori më i mirë i mundshëm i Ukrainës? Ushtria jonë”- më thotë. Unë qesh… “Jo, jo, e kam seriozisht! Ndërmjetësi më i mirë midis Rusisë dhe Ukrainës është forca jonë ushtarake. Vetëm ushtarët tanë do t’i ndërgjegjësojnë rusët se e kanë të humbur luftën. Dhe Ukrainës, do t’i japin mundësinë të diktojë kushtet e vetme të dhënies fund të kësaj lufte. Deri më sot nuk ka asnjë proces për nisjen e negociatave. Dhe as ndonjë plan për një takim Zelensky-Putin. Rusët besojnë ende se mund të fitojnë”-thekson ai.

Por ju i keni refuzuar të gjithë ndërmjetësit, nga Turqia në Vatikan…

Negociatat u bllokuan në Stamboll në fillim të muajit prill. Ato ditë, në Bucha dhe Irpin, ne pamë shumë qartë se çfarë kishin bërë rusët. Nuk kishte asnjë mundësi për rikthimin tek Marrëveshja e vitit 2014 në Minsk. Në fakt nuk ka më kompromise me Moskën.

Kur lufta bëhet kaq e egër, dikush duhet ta fitojë atë. Sot nuk jemi më si në 2014-ën. Ukrainasit janë shumë më të përgatitur për një lloj lufte moderne. Dhe një humbje e Rusisë, qoftë edhe në nivelin psikologjik, është shumë më e rëndësishme për Evropën. Nëse do të negocionim sërish si në vitin 2014, Moska do të mendonte se tashmë e ka fituar luftën,

dhe do të rriste presionin e saj duke financuar partitë radikale evropiane të së djathtës dhe të majtës, lobet e saj në Parlamentin Evropian, kompanitë, krizat e migracionit.

Prandaj çdo ndërmjetës niset nga një premisë e rreme: ai nuk e kupton natyrën e kësaj lufte.

A mendoni se kjo luftë mund të përfundojë me një kompromis: na jepni këtë rajon, që ta mbani tjetrin. Kjo qasje çon në një paqe të gabuar. Synimi i kësaj lufte është shkatërrimi i  identitetit ukrainas.

Prandaj nuk kemi zgjidhje tjetër: ose do ta mbrojmë, ose e humbasim. Të gjitha të tjerat janë pozicione të rreme. Evropa duhet ta kuptojë këtë. Sot çdo takim do të ishte si të luaje lojën klasike të Moskës: të rikthehet statuskuoja e vjetër, të nënshkruhet një pakt farsë si Marrëveshjet e Minskut të 2014-ës, dhe pastaj të rinisë një përshkallëzim i ri i konfliktit. Nëse do të binim dakord me një kompromis të tillë, pas disa vitesh do të jetë ndoshta radha e Moldavisë apo e dikujt tjetër, gjë që do të zhyste në kaos gjithë Evropën Lindore. Rusia punon mbi këtë skenar.

Papa thotë se duhet të dialogojmë me armikun, edhe pse kjo është e vështirë…

Në një deklaratë tjetër, Françesku ka thënë se është e drejtë të furnizohet me armë një vend që po mbron veten e tij. Unë mendoj se është e rëndësishme ta kuptojmë se nga vjen lufta. Edhe Selia e Shenjtë duhet të kuptojë se ka nga ata që bëjnë luftë për të pushtuar të tjerët, dhe ata që po luftojnë për të drejtën e ekzistencës, për pavarësinë dhe lirinë e tyre. Ukraina nuk dëshiron të nënshtrojë asnjë popull tjetër. Ajo po lufton edhe për dashurinë.

Dashurinë?

Sigurisht. Ne nuk po mbrojmë vetëm tokën tonë, por dëshirën për ekzistencë të familjeve tona, të botës së lirë. Ne luftojmë edhe për fqinjët tanë, pasi atëherë do të ishte radha e tyre. Është Rusia ajo që po zhvillon luftë në një territor të huaj. Është Rusia ajo që na pushton. Papa duhet të publikojë një dokument që shpjegon se mbrojtja është një lloj lufte e shenjtë.

E keni ftuar Papën në Kiev që t’ia thoni këto?

Ne jemi duke negociuar që Françesku të vijë në Kiev, dhe besoj se herët a vonë kjo vizitë do të ndodhë. Ai vetë dëshiron që të vijë në vendin që po mbron vlerat kyçe të qytetërimit perëndimor. Por është e qartë se vizita e tij varet nga shumë faktorë: përfshirë shëndetin e tij.

Por ai dëshiron të shkojë edhe në Moskë …

Nuk mendoj se është etike të vizitosh Moskën në këto momente. Janë agresorët, ata që po luftojnë në një mënyrë kaq mizore kundër parimeve të jetës. Nuk është normale që Ati i Shenjtë të shkojë në vendin e vrasësve. Dhe të takojë një person si Patriarku Kirill.

Pse po këmbëngulni kaq shumë për Krimenë? Shumëkush e cilëson si të humbur tashmë…

Ky është një efekt tipik që kanë shkaktar luftërat ruse në Evropë në të kaluarën. Për disa çështje, siç është edhe pushtimi i Krimesë në vitin 2014, nuk është folur nga frika. Tani ato po bëhen tema më rëndësi. Ne kemi filluar ta kuptojmë se Krimea është një territor që duhet t’i kthehet Ukrainës pa kushte.

Ajo nuk mund të jetë nën kontrollin e Putinit. Përndryshe, do të jetë një histori e përsëritur. Edhe në Krime ka shumë varrezat masive. Ju keni qenë vetë në Izyum. Kundërofensiva e ditëve të fundit ka qenë shumë e shpejtë, dhe rusët nuk patën kohë të fshehin krimet e tyre. Nga ana tjetër Krimea, mbetet në duart e tyre. Prandaj ne duhet të rikthehemi sa më shpejt të jetë e mundur atje dhe në të gjitha territoret tona. Për sa kohë që rusët kanë ndjenjën se do të mbeten të pandëshkuar, masakrat nuk do të mbarojnë ndonjëherë.

Por a po përgatiteni vërtet të padisni Putinin në Hagë? I vetmi kryetar shteti që përfundoi në burg ishte Slobodan Milosevic, dhe ai nuk arriti të vuante dënimin…

Kjo varet nga gatishmëria e komunitetit. Për një kohë të gjatë, Rusia është lejuar të kryejë masakra të mëdha në Gjeorgji apo Siri, duke mos pasur asnjë pasojë. Tani duhet të urdhërohen hetime, të ngrihen gjykata speciale, të kërkohen dhe nxirren para drejtësisë. Ekipet vendase dhe ato ndërkombëtare kanë nisur tashmë punën për të identifikuar se kush i ka kryer krimet, kush ka qenë bashkëpunëtor në to, ata do të gjenden dhe do të vihen para drejtësisë.

Varrezat masive në Izyum na tregojnë se çfarë lloj lufte po bën Putini këtu. Për rastet Bucha dhe Irpin, shumë njerëz menduan se ishin masakra të urdhëruara vetëm nga ndonjë komandë e ndërmjetme. Ndërkohë ato në Izyum, tregojnë se gjenocidi po ndodh në Kherson, Zaporozhzhia, Kharkiv, Lugansk dhe Donetsk. Është e nevojshme të hetohen të gjithë ata që kanë dhënë urdhra. Nuk është vetëm Putin që duhet të përballet me fatin e Milosevic, por i gjithë rrethi i tij i brendshëm”.

Nëse negociatat do të rifillonin nesër, çfarë do të kërkonte Ukraina?

Së pari, rikthimin tek kufijtë e vitit 1991. Së dyti, çmilitarizimin e brezit kufitar rus me Ukrainën. Së treti, Rusia të nisë të paguajë dëmet e luftës për çdo familje në Ukrainë, sepse të gjithë kanë vuajtur shumë nga ky sulm. Së katërti, një gjykatë ndërkombëtare, ku Rusia pas rrëzimit të Putinit të luajë një rol në ekstradimin e kriminelëve.

Marrë me shkurtime