Nga Maja Bjelos “War On the Rocks”
Sovraniteti është një koncept abstrakt, ndërsa targat jo. Në fund të korrikut, qeveria e Kosovës u kërkoi qytetarëve të saj serbë që të zëvendësonin targat në makinat e tyre,
akt që nxiti protesta në mesin e atyre që vazhdojnë ta refuzojnë sovranitetin e Prishtinës.
Ndërhyrja ndërkombëtare ndihmoi në shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi. Por tensionet rrezikojnë të shfaqen sërish më 1 nëntor, kur janë planifikuar të hyjnë në fuqi rregulloret e reja të qeverisë së Kosovës. Kriza e fundit përbën një tjetër kujtesë se ku ka gabuar Evropa në Ballkan.
Gjatë 15 viteve të fundit, udhëheqësit dhe organizatat perëndimorë kanë punuar për të zbutur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, duke mbështetur stabilokratët e korruptuar, të
cilët mbeten për shumë vite në pushtet. Për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, vendet perëndimore kanë mbështetur zyrtarët në Beograd dhe Prishtinë, të cilët premtuan të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre përmes dialogut, dhe të zgjedhin integrimin evropian në vend të rreshtimit me Rusinë.
Në këmbim, këtyre stabilokratëve iu dha legjitimitet ndërkombëtar, dhe dorë e lirë në drejtimin e vendeve të tyre. Kjo qasje ka sjellë një përparim real, siç është integrimi i Kosovës Veriore me shumicë serbe në sistemin ligjor dhe politik të vendit.
Por nga ana tjetër, liderët në Beograd dhe Prishtinës e kanë instrumentalizuar këtë progres për të konsoliduar imazhin e tyre ndërkombëtar si paqe-bërës, dhe për t’iu shmangur kritikave për sjelljet tyre jodemokratike. Kjo u ka dhënë mundësi atyre të grumbullojnë pushtet, të nxisin nacionalizmin dhe shkelin të drejtat e njeriut dhe dëmtojnë sundimin e ligjit.
Veprime këto që do ta bëjnë të pamundur paqen reale dhe të qëndrueshme. Rezultati është se pas 11 vitesh negociata, udhëheqësit serbë dhe ata kosovarë nuk i kanë normalizuar marrëdhëniet, nuk i kanë afruar vendet e tyre me Bashkimin Evropian dhe nuk e kanë kufizuar ndikimin e Rusisë në Ballkan.
Përkundrazi, ata vazhdojnë të provokojnë kriza të shumta me intensitet të ulët, për t’u siguruar që të mbeten të pazëvendësueshëm si partnerë në dialog dhe si paqe-bërës. Në vend se ta fajësojnë Rusinë për problemet e rajonit apo të këmbëngulin tek strategjitë e dështuara, liderët perëndimorë duhet t’i japin përparësi demokratizimit të Kosovës dhe Serbisë.
Kjo do të kërkojë ndër të tjera demokratizimin e procesit të dialogut të udhëhequr nga BE midis dy vendeve, për ta bërë atë më transparent, të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës. Meqë Kosova dhe Serbia janë kryesisht të varura nga financimi i huaj, mbështetja financiare ndaj tyre duhet të kushtëzohet me ndërtimin e institucioneve demokratike dhe multi-etnike, të cilat do të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të ardhshme të paqes.
11 vjet më parë, liderët serbë dhe ata kosovarë negociuan një marrëveshje në Bruksel për të siguruar lirinë e lëvizjes për serbët dhe shqiptarët që jetojnë në Kosovë. Por Serbia ka miratuar masa diskriminuese ndaj pronarëve të makinave me targat e Kosovës. Në kundërpërgjigje, qeveria e Kosovës i ndaloi serbët e Kosovës që të kalojnë në jug të lumit Ibër pa u pajisur me targat e reja shtetërore.
Këtë verë, banorëve në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, iu bë sërish thirrje të pajisen me targat e Kosovës, ndërsa shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë duhet të pajisen me dokumente të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Në kundërpërgjigje, serbët në Kosovë, duke kundërshtuar pretendimet e Prishtinës për sovranitet të plotë mbi rajonin e tyre, bllokuan rrugët që të çojnë në dy pika kufitare me Serbinë.
Fatmirësisht, kriza u zgjidh brenda pak orësh. Teksa forcat e NATO-s qëndruan aty pranë, dhe me mbështetjen e zyrtarëve të BE-së, ambasadori i SHBA-së në Kosovë i kërkoi kryeministrit Albin Kurti të shtyjë deri më 1 shtator zbatimin e masave të reja. Kur ai pranoi, serbët e veriut i hoqën barrikadat e tyre.
Derisa Kosova dhe Serbia të zgjidhin çështjen e kartave të identitetit, përplasja mbi targat duket se do të vazhdojë. Serbët e Kosovës kanë kohë deri më 31 tetor për të zëvendësuar targat e tyre aktuale. Në bisedat që kam zhvilluar me ta, disa serbë të Kosovës kanë shpjeguar se kanë vendosur të bojkotojnë masat e reja, ndërsa të tjerët janë regjistruar për
të marrë targat e reja.
Kur serbët e Kosovës bllokuan rrugët, diplomatët e BE-së, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara u bënë thirrje zyrtarëve në Beograd dhe Prishtinë të rikthehen në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Por dialogu politik i nivelit të lartë i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka mbetur i bllokuar gjatë viteve të fundit për shkak të armiqësisë së hapur mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vucic, si dhe vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa ekstra për mallrat që hyjnë nga Serbia.
Kjo ilustron më së miri kufijtë e asaj që mund të arrihet nga dialogu dypalësh, pa pasur një qasje më gjithëpërfshirëse. Që nga viti 2011, Beogradi dhe Prishtina kanë nënshkruar më shumë se 20 marrëveshje për të zgjidhur një sërë problemesh konkrete, duke kontribuar kësisoj në normalizimin e marrëdhënieve midis tyre.
Përparimi më i madh u arrit përmes Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, e cila solli shpërbërjen e institucioneve paralele serbe në Kosovë, përfshirë policinë, gjyqësorin dhe trupin e mbrojtjes civile, së bashku me integrimin e komunave me shumicë serbe në sistemin ligjor dhe politik të vendit.
Edhe pse komuniteti serb i Kosovës i rezistoi këtyre lëvizjeve, ato u zbatuan vetëm pas presionit serioz nga Beogradi dhe garancive të dhëna nga qeveria serbe. Në këmbim, Beogradi premtoi krijimin e një Bashkie të Komunave Serbe, një organ që do t’u jepte mundësi komunave me shumicë serbe në Kosovë të kenë një nivel më të lartë të vetëqeverisjes.
Deri më sot, politikanët në Prishtinë kanë refuzuar të zbatojnë pjesën e marrëveshjes së Brukselit që lidhet me këtë organ, duke pretenduar se kjo do të çonte në krijimin e një Republike Srpska tjetër pas asaj brenda Bosnjes.
Të gjitha bisedimet e mëtejshme midis Beogradit dhe Prishtinës, kanë qenë të fokusuara në vendosjen e sovranitetit të plotë të Prishtinës mbi të gjithë territorin e Kosovës. Tek e fundit, dialogu duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme, dhe me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Por elitat politike serbe e shohin si një vetëvrasje politike çdo lloj marrëveshje të tillë me Prishtinën. Për pasojë, për gati 1 dekadë, ndërmjetësuesit e BE-së i kanë lejuar liderët politikë shqiptarë të Kosovës dhe ata serbë që të interpretojnë sipas dëshirës marrëveshjet e arritura midis tyre, duke nxitur pritshmëri të ndryshme nga të dyja palët, dhe duke i lënë qytetarët e të dyja vendeve të papërgatitur për kompromiset që do të kërkonte një marrëveshje e qëndrueshme.
Një nga mësimet e krizës së targave, është se në mungesë të dialogut funksional dhe gjithëpërfshirës midis liderëve politikë, do të mbeten gjithmonë të mundshme shpërthimet e destabilitetit dhe dhunës. Dialogu aktual Beograd-Prishtinë, është një proces i drejtuar nga elita, dhe që zhvillohet pas dyerve të mbyllura në Bruksel, pa asnjë kontribut nga qytetarët dhe shoqëria civile.
Deri më tani, asnjë nga liderët e përfshirë, nuk ka treguar ndonjë angazhim real për ndërtimin e një konsensusi kombëtar pas negociatave. Kosova është aktualisht më demokratike se Serbia, dhe qeveria e saj është më transparente. Por nëse Kosova dëshiron që të konsiderohet një demokraci plotësisht funksionale, ajo duhet të garantojë siguri, drejtësi dhe shërbime themelore për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.
Është gjithashtu thelbësore që liderët kosovarë të investojnë në ndërtimin e besimit me serbët e vendit, të adresojnë shqetësimet e tyre dhe të tregojnë se ata do të trajtohen si qytetarë të barabartë. Demokracia dhe shteti i së drejtës – jo stabilokratët – janë çelësi për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të insistojë tek këto elementë si një parakusht për paqe të qëndrueshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
Marrë me shkurtime
Shënim:Maja Bjelos, studiuese në Qendrën për Politikat e Sigurisë me seli në Beograd.
/abcnews.al/