Papa Françesku është shprehur te enjten se është moralisht e lejueshme që vende të ndryshme t’i ofrojnë armë Ukrainës për ta ndihmuar atë të mbrohet nga agresioni rus.
Duke folur me gazetarët pas kthimit nga një udhëtim tre-ditor në Kazakistan, Françesku i kërkoi gjithashtu Kievit që të jetë i hapur ndaj dialogut eventual, edhe pse gjasat janë që situata të jetë e vështirë për palën ukrainase.
Në përgjigje të pyetjes së një gazetari nëse është moralisht e drejtë që shtetet të dërgojnë armë në Ukrainë, Papa tha:
“Ky është një vendim politik, i cili mund të jetë moral, moralisht i pranueshëm, nëse bëhet në kushte morale… Vetëmbrojtja është jo vetëm e ligjshme, por edhe shprehje e dashurisë për atdheun. Dikush që nuk mbron veten, që nuk mbron diçka, nuk e do atë. Ata që mbrojnë (diçka) e duan atë.”
Duke shpjeguar ndryshimin se kur është morale apo imorale të furnizosh armë në një vend tjetër, Françesku tha:
“Mund të jetë e pamoralshme nëse qëllimi është të provokojë më shumë luftë, ose të shesë armë ose të hedhë armë që (një vendi) nuk ka më nevojë. Motivimi është ai që në një pjesë të madhe e cilëson moralitetin e këtij veprimi.” /abcnews.al/