Nga Josep Borrell “Project Syndicate”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në një fazë të re. Ushtria ukrainase po arrin përparime spektakolare në terren, duke çliruar shumë qytete dhe fshatra, dhe duke detyruar tërheqjen e forcave ruse. Ndërsa mbetet për t’u parë se deri ku do të shkojë kundërofensiva ukrainase, tashmë është e qartë se po ndryshon ekuilibri strategjik në terren.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian është tërësisht i mobilizuar për t’u përballuar me krizën energjetike. Ne i kemi mbushur objektet tona të mbushjes së depozitave të gazit në nivelin mbi 80 për qind – shumë kohë përpara datës së synuar, 1 nëntor – dhe të gjithë kemi rënë dakord të realizojmë objektivat për reduktimin e konsumin e gazit gjatë dimrit.
Për të ndihmuar konsumatorët dhe bizneset më të cënueshme nga kriza që të përballojnë rritjet e çmimeve, ne po ecim përpara me propozime të tilla si vendosja e një takse shtesë ndaj kompanive energjetike që për shkak të çmimeve kanë fituar më tepër se zakonisht.
Për më tepër, në koordinim me vendet e G7 dhe partnerë të tjerë të ngjashëm, ne po diskutojmë planet për të kufizuar çmimin e eksporteve të naftës ruse. Po ashtu, po i ndihmojmë partnerët tanë në Jugun Global për të përballuar pasojat e agresionit brutal të Rusisë, dhe përdorimit cinik si një armë të energjisë dhe ushqimit.
Më pak fjalë: strategjia e përgjithshme e Perëndimit kundër Rusisë po funksionon. Ne duhet që të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën, të vijojmë të ushtrojnë presion ndaj Rusisë me sanksione, dhe t’i ndihmojmë partnerët tanë globalë në një frymë solidariteti.
Ata që e vënë në dyshim nëse po funksionojnë sanksionet, ndodhen në një terren gjithnjë e më të lëkundur. Në përgjithësi, sanksionet kanë një funksion të dyfishtë: të sinjalizojnë dhe të detyrojnë. Sinjali shpreh kundërshtimin ndaj sjelljes së një shteti, që në këtë rast përfshin shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar, dhe sulme të paarsyeshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile.
Dhe ndërsa ne nuk jemi zyrtarisht në luftë me Rusinë, imponimi synon që të sjellë një ndryshim në sjelljen e këtij vendi, dhe të dëmtojë mjetet ekonomike dhe teknologjike që i përdor për agresionin e tij. Në një sinjal shumë të qartë, BE-ja ka marrë vendimin historik për t’i dhënë fund mbështetjes së saj tek energjia ruse.
Kremlini i ka shklur kontratat duke reduktuar shumë eksportet e gazit drejt Evropës, dhe duke shkaktuar tronditje në tregje. Aftësia për t’u përfshirë në një shantazh të tillë, mund të duket si një forcë e Rusisë. Por në fund të fundit, ajo është një strategji humbëse.
Në kundërshtim me besimin popullor, Rusia nuk mund të gjejë lehtësisht zëvendësues të qëndrueshëm për tregun evropian, pasi pjesa më e madhe e infrastrukturës së saj të eksportit të gazit (tubacionet dhe terminalet LNG) është e drejtuar drejt Evropës. Ri-drejtimi i rrjedhës së gazit drejt vendeve si Kina do të kërkojë vite kohë dhe do të kushtojë miliarda dollarë.
Është e vërtetë që këto muaj Rusia ka përfituar nga rritja e çmimit të gazit. Por kjo nuk do të thotë se kanë dështuar sanksionet. Përkundrazi, ne duhet të presim edhe për një farë kohe për të parë efektet e plota të vendimit të Evropës për të reduktuar importet e saj të energjisë nga Rusia.
Deri më tani, Evropa ka ndaluar vetëm importet ruse të qymyrit, dhe e ka reduktuar blerjen e naftës ruse. Por edhe me kaq, ndikimi ka qenë i dukshëm. Vëllimet e eksporteve të qymyrit nga Rusia kanë rënë aktualisht në nivelin më të ulët që nga fillimi i pushtimit, duke reflektuar dështimin e Kremlinit për të gjetur blerës të tjerë.
Gjithashtu, që kur BE-ja njoftoi se do të reduktonte me 90 për qind importet e saj të naftës ruse deri në fund të vitit 2022, çmimet e naftës kanë rënë. Dhe Kremlini do t’i reduktojë më tej të ardhurat e tij nëse bën reduktime të tjera në dërgesat e gazit në Evropë.
Siç ka deklaruar Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, Evropa mund të ketë paguar një kosto të vogël financiare për gazin rus në të kaluarën, por kjo ndodhi sepse ajo po paguante një kosto më të lartë përsa i përket sigurisë së saj.
Rusia e sulmoi Ukrainën pasi ishte e bindur se BE-ja do të ishte shumë e përçarë dhe e varur nga energjia ruse për të vepruar. Por presidenti rus Vladimir Putin bëri një llogaritje
të gabuar. Duke e reduktuar varësinë e saj nga energjia ruse, Evropa po çlirohet nga besimi i vjetër, se ndërvarësia ekonomike i redukton automatikisht tensionet politike.
Ky parim mund të kishte pasur kuptim 40 vjet më parë. Por sigurisht që nuk ka tani, kur ndërvarësia ekonomike po përdoret haptazi si një armë. Por përgjigja e duhur nuk është të mbyllemi në vetvete. Ne kemi ende nevojë për një ekonomi të hapur. Por ne s’duhet të lejojmë ndërvarësinë pa qëndrueshmëri dhe diversifikim.
Ne duhet të mbajmë mirë parasysh identitetin politik të atyre me të cilët tregtojmë dhe ndërveprojmë. Përndryshe, do të biem në të njëjtin lloj kurthi që Putin ka krijuar prej 20 vjetësh për Evropën. Edhe sanksionet kanë pasur dukshëm një efekt bindës. Humbja e qasjes tek teknologjia perëndimore ka filluar ta godasë fort ushtrinë ruse, tanket, avionët, sistemet e telekomunikacionit dhe armët e saktësisë së lartë, që varen nga pjesë që importohen.
Për më tepër, një raport i brendshëm i qeverisë ruse paralajmëron për një dëm afatgjatë të ekonomisë ruse për shkak të kufizimeve të mëdha në importe. Në bujqësi, 99 për qind e prodhimit të shpendëve varet nga inputet e importuara.
Në aviacion, 95 për qind e pasagjerëve në Rusi udhëtojnë me avionë të prodhimit të huaj; dhe tani, mungesa e pjesëve rezervë po e zvogëlon ndjeshëm flotën e aviacionit komercial. Në farmaceutikë, 80 për qind e prodhimit vendas mbështetet tek lëndët e para të importuara. Së fundmi, në fushën e komunikimit dhe teknologjisë së informacionit, Rusia mund të ketë mungesë të kartave SIM deri në vitin 2025, dhe pjesë të tjera të sektorit të saj të telekomunikacionit do të dëmtohen për shumë vite. Dhe mos harroni, se ky vlerësim i zymtë është bërë nga burime zyrtare të qeverisë ruse.
A do të mjaftojnë vetëm sanksionet për ta mposhtur pushtuesin? Jo. Por është pikërisht kjo arsyeja pse ne po i ofrojmë gjithashtu Ukrainës edhe një mbështetje masive ekonomike dhe ushtarake, dhe po përgatitemi që të dërgojmë atje një mision të trajnimit ushtarak të BE-së, për të forcuar më tej aftësitë e forcave të armatosura ukrainase.
Lufta nuk ka mbaruar, dhe regjimi i Putinit ka ende në dorë disa karta për të luajtur. Por me strategjinë aktuale perëndimore, Kremlini do ta ketë praktikisht të pamundur që të ndryshojë rrjedhën e luftës. Për aq kohë sa ne do t’i përmbahemi strategjisë sonë, koha dhe historia do të jenë me siguri në anën e ukrainasve.
Shënim:Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, dhe zëvendës/president i Komisionit Evropian.


