Nga Oleksandr Novikov “Kyiv Post”
Përkheu: Alket Goce-abcnews.al
Si një komb që e ruan ende në sheshin kryesor të kryeqytetit trupin e balsamosur të Leninit, është e drejtë të thuhet që rusët janë të fiksuar pas kultit të personalitetit. Dhe kjo është arsyeja pse bota s’duhet ta nënvlerësojë rolin e sanksioneve personale të vendosura nga Perëndimi kundër Rusisë, në kundërpërgjigje të sulmit në shkallë të plotë ndaj Ukrainës.
Tashmë propaganda ruse po krijon një mitologji rreth sanksioneve personale. Ata që e kanë pësuar më shumë prej sanksioneve deri më tani, nderohen si “patriotët më të mëdhenj të Rusisë”. Pavarësisht se fëmijët e tyre studiojnë në shkollat britanike, jahtet e tyre janë të ankoruar në portet e Italisë, dhe vilat e tyre luksoze ndodhen në Francën Jugore.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, Perëndimi ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për ta forcuar strategjinë e sanksioneve individuale. Tashmë janë vendosur sanksione ndaj autorëve të kësaj tragjedie humanitare, ushtarake, ekonomike dhe kulturore; si dhe fëmijëve të tyre, që përdoren shpesh në mënyrë cinike për të fshehur pasuritë e prindërve të tyre.
Duke vendosur sanksione ndaj “Matrioshkave”, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera kanë mbyllur një hendek të madh, duke zhvilluar një praktikë më të mirë që duhet të zbatohet nga të gjitha vendet e aleancës kundër Rusisë.
Tani që e kemi marrë veten nga tronditja fillestar e luftës, është koha që të ecim më tej përpara në qasjen tonë ndaj sanksioneve të personalizuara kundër Rusisë, duke e bërë atë më të strukturuar dhe akoma më efektive. Nga ana e saj, Ukraina ka bërë gjithçka që është e mundur për ta lehtësuar këtë proces për aleatët tanë.
Nën udhëheqjen e ish-ambasadorit të SHBA-së në Rusi, Michael McFaul, dhe Shefit të Shtabit të Presidencës së Ukrainës, Andriy Yermak, ne kemi zhvilluar një plan të detajuar veprimi për forcimin e sanksioneve kundër Federatës Ruse. Midis kontribuesve të planit janë akademikë dhe ekspertë që i dinë objektivat që duhet goditur për ta dobësuar Rusinë pa i shkaktuar dëme anësore ekonomisë botërore.
Ne në Agjencinë Kombëtare të Ukrainës për Parandalimin e Korrupsionit kemi identifikuar mbi 19.000 persona që duhet të sanksionohen menjëherë, në një kohë që numri i përgjithshëm i individëve të sanksionuar nga të gjitha shtetet e G7 mbetet shumë i ulët.
Që nga muaji shkurt, vendet e G7 kanë vënë nën shënjestër vetëm 1.829 individë, një shifër gati 5 herë më e vogël sesa numri i civilëve të vrarë gjatë luftës në Ukrainë. Nga një analizë e imtësishme, bie në sy një hendek serioz midis numrit të individëve të sanksionuar në të paktën një vend të G7, dhe atyre që janë sanksionuar nga të gjitha vendet e G7.
Gati 400 nga më shumë se 1850. Për shembull, jo më shumë se 10 pjesëtarë të ushtrisë ruse janë vendosur nën sanksione nga të gjitha shtetet e G7, ndërsa gati 175 individë janë sanksionuar në të paktën një juridiksion i G7. Pra vetëm 5 për qind të totalit.
Një kategori tjetër individësh, të cilët deri më sot i kanë shpëtuar sanksioneve janë propagandistët. Roli i tyre në nxitjen e luftës është më se i qartë. Por vetëm 2 prej tyre janë sanksionuar nga të gjitha shtetet e G7-ës, vetëm 2 për qind e gati 100 individëve të sanksionuar në të paktën një juridiksion të G7.
Nga kjo situatë mund të nxirren 2 përfundime të menjëhershme. Së pari, ka ende hapësirë për zgjerim të numrit të përgjithshëm të individëve që janë objekt i sanksioneve. Dhe së dyti, ka ende vend për ta bërë më homogjen regjimin e sanksioneve, duke vendosur sanksione të mëtejshme kundër individëve tashmë të sanksionuar nga aleatët tanë në Perëndim.
Përndryshe, personat e sanksionuar do të vazhdojnë t’i anashkalojnë kufizimet duke i transferuar pasuritë e tyre në një juridiksion ku ata nuk kanë qenë ende objektiv i sanksioneve. Dikur oligarkët rusë dhe zyrtarët e korruptuar të qeverisë ruse, e kanë përdorur mirë këtë skemë.
Duhet të ketë një objektiv të qartë, dhe më e rëndësishmja, të sinkronizohet nga të gjitha vendet vendosja e sanksioneve personale, të cilat do ta dobësojnë Vladimir Putinin dhe rrethin e tij të oligarkëve, dhe nuk do të ofrojnë mundësi shpëtimi për ata që kanë përfituar nga lidhjet me një Rusi të dhunshme dhe të korruptuar.
Dhe kjo nënkupton shënjestrimin e atyre, mbështetja e të cilëve për luftën nuk mund të vihet në dyshim, siç janë zyrtarët e qeverisë ruse, kompanitë shtetërore ruse, mediat e kontrolluara nga qeveria, propaganduesit e qeverisë dhe oligarkët rusë që shfaqen në listën e “Forbes”. Vënia në shënjestër e këtyre individëve, do të hedhë dyshime mbi aftësinë e Rusisë për të bërë luftë, pasi ata që përfaqësojnë “pushtetin vertikal” të Putinit do të jenë të zënë duke u marrë me të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Për të përmirësuar sinkronizimin e sanksioneve, Grupi i Punës Yermak-McFaul ka propozuar krijimin e një komiteti me përfaqësues të vendeve që vendosin sanksionueset, për të menaxhuar marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me Rusinë, duke zhvilluar, koordinuar dhe zbatuar sanksionet. ndoshta nën drejtimin e vendeve të G7.
Sanksionet do t’i nxitin këta njerëz drejt ri-mendimit të kostos së luftës, dhe njohjes së peshës së rolit të tyre në nxitjen e dhunës barbare në Ukrainë. Në rastin me ideal, ata do të braktisin çdo post që mbështet drejtpërdrejt ose indirekt kapacitetin e Putinit në këtë luftë.
Sanksionet e unifikuara dhe të sinkronizuara të botës, duhet ta sfidojnë sistemin shtetëror rus dhe të shkaktojnë një kolaps administrativ të mbushur me dorëheqje masive. Por njerëz me shumë lidhje, si Kryetarja e Bankës Qendrore të Rusisë, Elvira Nabiullina, që ende
nuk janë sanksionuar nga SHBA, duhet të kenë të drejtën të përjashtohen pjesërisht nga sanksionet nëse japin dorëheqjen dhe informojnë mbi asetet e kolegëve të tyre apo se ku fshihen paratë e grumbulluara nga aktet korruptive.
Me ndihmën e tyre, ne mund të jemi në gjendje të zbulojmë pasuritë e fshehura të figurave kryesorë të qeverisë ruse, asete që pa dyshim duhet të përdoren për rindërtimin e Ukrainës pas luftës. Për këtë qëllim, ne në Ukrainë kemi zhvilluar një mjet të veçantë sinjalizues në portalin “War & Sanctions”, duke shërbyer si një instrument i rëndësishëm për Task Forcën tonë në gjurmimin e aseteve ruse jashtë vendit.
Falë qindra denoncimeve të marra deri më tani, ne kemi hartuar një bazë të dhënash me informacione të besueshme mbi pasuritë e individëve të sanksionuar rusë dhe bjellorusë në MB, Zvicër, SHBA, Zelandën e Re, Poloni dhe vende të tjera. Tani është koha të miratohen ligje për t’i sekuestruar këto pasuri dhe për t`i përdorur të ardhurat për të financuar rindërtimin e Ukrainës.
Rusia duhet të mposhtet për ta penguar atë të kryejë krime të tjera lufte. Përndryshe, mund të pritet që pas një pauzë e shkurtër Putini ta sulmojë sërish Ukrainën ose një vend tjetër fqinj, duke kërcënuar sigurinë e botës dhe duke shtuar kërcënimet e tij bërthamore. Dhe duke e konsideruar të drejtën për jetë dhe mirëqenie si vlera supreme, Ukraina i konsideron sanksionet ndërkombëtare si çështje e shpëtimit të miliona civilëve të pafajshëm në tokën tonë dhe ndoshta në të gjithë kontinentin e Evropës.


