Nga Dorina Kurtaj- Shumë vende anëtare të Bashkimit Europian po përballen me pasojat e zgjedhjeve parlamentare europiane. Çfarë do të ndryshojë nga vendi në vend: Greqia shkon në zgjedhje të parakohshme në qershor, ndërsa Mbretëria e Bashkuar po përgatitet për një Brexit dhe pa marrëveshje, ndërsa në Austri kryeministri ka humbur mocionin e votëbesimit.
Pas numërimit të votave, është momenti i bilancit për të matur marrëdhëniet e forcës që do të jenë vendimtarë për të përcaktuar se kush do të drejtojë ekzekutivin europian, por sidomos me çfarë programi. Një dhënë është e sigurtë: vala populiste nuk ndodhi. Suksesi i parë i Europës ishte pjesëmarrja record në votime, për herë të parë numri i votuesve shënoi rritje që nga 1979. Kutive të votimit iu drejtuan 50.94% e zgjedhësve – rezulati më i mirë në 20 vjet. Një sinjal i madh për besimin në Bashkimin Europian, komentoi holandezi Frans Timmermans, kandidat i socialistëve në drejtimin e Komisionit Europian. Margrete Vestager, kandidate e liberalëve për ekzekutivin bëri apel për frenim të entuziazmit sepse në pjesëmarrje u regjistruan ndryshime të mëdha: u kalua nga 60 për qind të Gjermanisë në 28 për qind të Sllovenisë. Kjo sipas saj tregon se sa punë duhet bërë ende, dhe se njerëzve u duhet shpjeguar se cfarë bën Bashkimi Europian në mënyrë të veçantë në ato vende ku pjesëmarrja në zgjedhje ishte sërish e vogël.
Qytetarët europianë votuan kryesisht në favor të partive që mbështesin projektin evropian, por jo domosdoshmërisht në favor të politikave europiane të shprehura vitet e fundit.
Një gjë e tillë ishte e dukshme në Greqi, ku pas viteve të tëra shkurtimesh në shpenzimet publike të vendosura nga Bashkimi Europian e të implementuara nga ALeksis Tsipras, partia e tij Syriza u la prapa me dhjetë pikë nga qendra e djathtë e demokracisë së re e cila mori 33% të votave. Suksesi i papritur I të gjelbërve në Gjermani – ku ekologjistët tashmë janë forca e dytë politike në vend dhe në francë – ku jajnbë të tretat, tregon një kujdes të veçantë të opinionit publik për politikat e zhvillimit më të qëndrueshme. Të gjithë kandidatët për presidencën e komisionit europian nga Timmermans tek Ueber dhe Vestager, kanë premtuar politika kundër ndryshimeve klimaterike.
Por nga cila mazhorancë do të mbështetet komisioni i ri europian? Vota e të dielës së kaluar penalizoi familjete mëdha politike me qendrën e djathtë e cila mori 180 vende, rreth 25 për qind më pak, sidomos për shkak të rënies së partisë CDU të Merkel, dhe socialistët që humbasin terren po arrijnë të mbajnë 146 vende sidomos falë suksesit të Pedro Sanchez në Spanjë dhe Timmermans në Holandë. Për të zgjehdur presidentin e komisionit europian duhet vota e të paktën 376 deputetëve. Kandidati i qendrës së djathtë, Manfred Ueber, i bëri apel socialistëve, liberalëve dhe të gjelbërve që të formojnë një mazhoramcë të gjerë për të bllokuar të djathtën nacionaliste.
Sovranistët nuk dominuan ashtu si mund të mendohej para zgjedhjeve, por kanë fituar në Itali, Francë dhe Hungari. Në Britaninë e Madhe suksesi ishte për Brexit Parti i Faraxh me 31 për qind të votave. Në Poloni partia euroskeptike dhe konservatore në qeveri: e Drejtë dhe Drejtësi mori 45% të votave. Ekstremi i djathtë humbi terren në Danimarkë dhe Austri por fitoi në Belgjikë. Vala e madhe nuk është por grupi i Europës së Kombeve mban 58 vende në Parlamentin Europian, 22 më shumë se herën e fundit.
Por një element vendimtar do të jenë sidomos liberalët, falë “Republikës në Marshim” në Francë. Makron nuk fitoi por con në parlamentin europian 21 deputetë që sëbashku me 16 britanikët liberal demokratë përforcojnë ndjeshëm bllokun liberal i cili numëron 109 deputetë.
Një tërmet politik. Zgjedhjet europiane 2019, përveç rivizatimit të përbërjes së Parlamentit të Bashkimit Europian, kanë trazuar ekuilibrat e brendshëm të shumë vendeve anëtare. Avancimi i të gjelbërve, dhe pak i populistëve, janë dy faktorët që kanë peshuar më shumë. Disa liderë të opozitës kanë kërkuar dorëheqjen e qeverive në pushtet, ndërsa të tjerë kanë kërkuar një ndryshim ritmi. Më poshtë disa nga vendet në të cilët situata është e destinuar të ndryshojë shumë shpejt për shkak të zgjedhjeve parlamentare europiane.
Gjermani
Tsunami i gjelbër, partia e drejtuar nga energjikja Annalena Baerbock e cila mori 20.5 për qind të preferencave, ka detyruar konservatorët e CDU-së – partia e parë në vend me 28,9 për qind të votave, por në rënie dhe SPD që mori rezultatin më të keq në histori, që të rishikojnë marrëveshjen ku bazohet koalicioni u gjerë qeverisës. Socialistët të cilët ndaluan në 15.8 për qind kërkuan zyrtarisht votëbesimin e qeverisë dhe ndoshta do të jetë rasti për të future në program tema shumë të rëndësishme për grupimin ekologjik. CDU e Merkel pranoi se nuk është në gjendje të tërheqë votat e më të rinjve dhe do të kërkojë në muajt e ardhshëm që të ndryshojë imazhin e saj për të tërhequr një pjesë të elektoratit e cila largohet gjithnjë e më shumë .
Francë
Partia e Marin Lë Pen ka marrë 23.31 për qind të votave, duke mundur me gati 10 pikë grupimin politik të presidentit francez Emanuel Makron. Liderja e ekstremit të djathtë kërkoi menjëherë shpërndarjen e parlamentit të vendit dhe shpalljen e një date për zgjedhje të parakohshme në vend. Avancimi i të gjelbërve që kanë marrë 13.47 për qind do të detyrojë ekzekutivin francez që të marrë parasysh temat e konsideruara të rëndësishme për ambientalistët.
Mbretëri e Bashkuar
Partia e krijuar vetëm pak javë më parë nga Najgel Faraxh mori një rezultat befasues prej 31.6 për qind të votave. Pasi bindi votuesit se ishte moment i duhur për të dalë nga Bashkimi Europian, lideri britanik shënoi fitoren e tij të dytë me Brexit Party. Një fitore që i lejon të jetë i pari në radhë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Britaninë e Madhe. Pas largimit të Nik Kleg, dhe liberaldemokratët britanikë mund ta konsiderojnë një sukses rezultatin e arritur në këto zgjedhje. Ndërsa për konservatorët ishte një dështim I vërftetë me vetëm 9.1 për qind dhe laburistët vetëm 14.1%. vullneti i popullit britanik është i qartë: Dalje sa më e shpejtë nga Bashkimi Europian me apo pa marrëveshje.
Greqi
E majta radikale e drejtuar nga kryeministri grek Aleksis Tsipras ka marrë një goditje. Syriza regjistroi 23.85% të votave, 10 pikë larg nga Demokracia e re e Qendrës së djathtë. Por partia e Tsipras ka humbur dhe zgjedhjet administrative e ato rajonale, duke e detyruar Tsipras të shpallë zgjedhje të parakohshme të cilat priten të mbahen në fund të muajit qershor.
Belgjikë
Vendi mund të konsiderohet i ndarë në dy pjesë. Partia e ekstremit të djathtë Vlaams Belang ka marrë një rezultat të madh. Në Belgjikë përveç zgjedhjeve parlamentare, zgjedhësit votuan dhe për qeverinë e re. Vlams belang fitoi rreth 8.2 pikë dhe tashmë me një të përgjithshme prej 11.95 për qind mund të ketë zërin e saj dhe për sa i përket politikës së brendshme. Nëse këtyre të dhënave u shtohet dhe fakti se grupimi politik nacionalist “Aleanca e re Flaminge” mori 16% të votave, bëhet e qartë se krijimi i një qeverie do të jetë shumë i vështirë. Dhe pse historikisht çdo grupim politik ka refuzuar aleancën me Vlaams Belang.
Rumani
Nëj rezultat shumë negative për socialdemokratët e PSD, të cilët janë të dytët me 23.39% – rezultati më negative në dekadën e fundit. Partia liberale kombëtare, e cila është pjesë e partisë popullore europiane, triumfoi me 26.79% të votave. Një sukses i papritur dhe për grupimin anti korrupsion Usr Plus që me 20.4% do të jetë vendimtar dhe për sa I përket politikës së brendshme.
Austri
Parlamenti austriak nuk i dha votëbesimin qeverisë së kancelarit Sebastian Kurz, por në këtë rast rezultati në zgjedhjet parlamentare europiane nuk ka rol. Për më shumë që Kurz mori një rezultat shumë të mirë. Qendra e majtë hyri në aelancë me ekstremin e djathtë të Fpoe – deri pak ditë më parë aleat i kancelarit austriak – për të rrëzuar qeverinë. Çdo gjë ndoddhi sipas asaj që mediat vendase e kanë pagëzuar me emrin Ibizagate: ish lider dhe zv/kancelari Heinz Kristian Strahe u filmua në një hotel të ishullit spanjoll dukei premtuar tendera, në këmbim të financimeve, një vajze e cila pretendonte se ishte mbesa e një oligarku rus.
Tani që votuesit folën radha i takon formimit të koalicioneve në Parlamentin Europian, ku asnjë grup nuk ka mazhorancë absolute, gjë që u hap rrugë grupeve të të gjelbërve dhe liberalëve e madje duke u dhënë atyre një pozicion të fortë. Për herë të parë që prej 1979-s, Partia Popullore Europiane dhe Social-Demokratët nuk do të kenë një mazhorancë në Parlamentin Europian. Përkatësisht me 180 dhe 152 vende, kuotat janë shumë më të ulëta nga 376 që duhen për të patur shumicën. Rrjedhimisht, të dyja palëve do t’u duhet të bëjnë aleanca, sidomos me grupin e Liberalëve dhe Demokratëve, ALDE, që fitoi 13.98 për qind të ulëseve; si dhe të gjelbërit që fituan 8.92 për qind. Një tjetër mundësi përballë luhatjes së partive historike është edhe aleanca me nacionalistët e së majtës ekstreme. Sipas një analize të publikuar në portalin Euraktiv, situata ka 6 skenare sipas të cilëve mund të zgjidhet.
1 / Edhe pse PPE dhe Social-Demokratët udhëheqin përkatësisht me 24 dhe 20 për qind të ulëseve, një koalicion i gjerë me 67 për qind të vendeve të Parlamentit Europian, me përfshirjen e liberalëve dhe të gjelbërve, mund të arrihet pavarësisht ngurrimit të disa vendeve.
2 / Skenari i dytë është një bashkëpunim me partitë e qendrës. Social-demokratët dhe konservatorët jo domosdoshmërisht kanë nevojë për të gjelbërit. Ndaj një aleancë me forcat politike të Gaj Ferhofshtad dhe Emanuel Makron do të mundësonte një mazhorancë me thuajse 58 për qind të ulëseve.
3 / Skenari i tretë ndërkohë parashikon një koalicion të ngushtë. Një aleancë e përbërë nga PPE, Social-demokratët dhe të gjelbërit është e mundur dhe do të përbënte më shumë se 53 për qind të ulëseve të Parlamentit Europian. Sidoqoftë, kjo do të ishte një shumicë e brishtë.
4 / Skenari i katërt mund të jetë një koalicion i vogël. PPE dhe Social-demokratët mund të bëhen bashkë, por një hipotezë e tillë ka pak gjasa të realizohet për shkak të ideologjisë dhe për shkak se të dyja grupet janë në rënie të vazhdueshme. Alternativa e tyre është formimi i një koalicioni të vogël do do të luhatej në vartësi të mbështetjes nga liberalët ose ambjentalistët.
5 / Opsioni i pestë është një koalicion i qendrës së majtë. Me mbi 48 për qind të ulëseve, një koalicion i përbërë nga populistët e majtë francezë do t’i afrohej mazhorancës. Sidoqoftë, vështirësia nuk qëndron në arritjen e një koalicioni, por në vullnetin e liderëve partiakë për të mbështetur një aleancë. Grupet në fjalë mund të bien dakord sa u takon politikave sociale, por në ato ekonomike hendeku ideologjik është shumë i madh. Shanset janë që një nga partitë nacionaliste të majta të bëjë aleancë me partinë e Makron.
6 / Skenari i gjashtë është një koalicion mes së djathtës dhe nacionalistëve. Grupi i euroskeptikëve ka avancuar me 19 mandate në këto zgjedhje europiane. Megjithatë, ndodhet shumë larg të qenurit mazhorancë, pavarësisht premtimet për fitore të bëra nga figura si Marin Le Pen dhe Xhordan Bardella. Të ndarë në tre grupe, euroskeptikët mund të bien dakord për formimin e një grupi të vetëm, pavarësisht përpjekjeve të zëvendës kryeministrit italian Mateo Salvini. Mes euroskeptikëve dhe anti-europianëve, aleanca praktikisht duket e pamundur. Në këto kushte, një aleancë me PPE-në, ku bën pjesë edhe kryeministri hungarez Viktor Orban, është mëse e mundur. /ABC news Albania 24/7