Kombet e Bashkuara kanë publikuar raportin më të fundit të “Zhvillimit Njerëzor Kohë të Pasigurta, Jetë të Paparashikueshme: Formësimi i së Ardhmes Sonë në një Botë që Transformohet”.
Raporti i Programit për Zhvillim të OKB-së vë në dukje se si shtresat e pasigurisë po shtohen dhe po ndërveprojnë me njëra-tjetrën duke shqetësuar jetesën në mënyra të pa precedente.
“Dy vitet e fundit kanë patur një ndikim shkatërrimtar për miliarda njerëz në botë, ndërsa krizat e shkaktuara nga pandemia e COVID-19-ës dhe lufta në Ukrainë pasuan njëra-tjetrën dhe ndërvepruan me ndryshimet rrënjësore shoqërore dhe ekonomike, ndryshimet e rrezikshme në planet dhe rritjen masive të polarizimit”, thuhet në raport.
“Për herë të parë në 32 vitet që UNDP-ja e ka matur, Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (IZHNj), i cili vlerëson nivelin e shëndetit, arsimit dhe standardin e jetesës së një kombi, ka pësuar rënie në nivel botëror për dy vite radhazi. Zhvillimi njerëzor ka rënë në nivelet e vitit 2016, duke kthyer mbrapsht një pjesë të madhe të progresit të bërë për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Ky kthim është thuajse universal, duke qenë se 90 % e vendeve kanë shënuar rënie të vlerës së tyre të IZhNj-së në vitin 2020 ose në vitin 2021 dhe më shumë se 40 % e tyre kanë shënuar rënie në të dy vitet, duke sinjalizuar që për shumë vende kriza është ende në thellim”, thuhet më tej në raport.
Vlera e IZhNj-së për Shqipërinë për vitin 2021 është 0.796 – vlerë që e vendos vendin në kategorinë e Lartë të zhvillimit njerëzor – duke e renditur atë në në vendin e 67 nga 191 vende dhe territore.
Përsa i përket Indeksit të Pabarazisë Gjinore që reflekton pabarazinë me bazë gjinore në tre dimensione – shëndeti riprodhues, fuqizimi dhe tregu i punës, Shqipëria renditet e 39-ta nga 170 vende.
Sa i përket Indeksit Shumëdimensional të Varfërisë, Shqipëria kap një vlerë 0. 003, duke u renditur mjaft poshtë në krahasim me vendet e tjera.
IShDV-ja shkon përtej të ardhurave për të kuptuar se si e përjetojnë njerëzit varfërinë në mënyra të shumta dhe në drejtime të njëkohshme. Ajo identifikon se si njerëzit po lihen pas në tre dimensione kyç: shëndet, arsim dhe standard jetese, dhe përfshin 10 tregues. Njerëzit të cilët përjetojnë privim në të paktën një të tretën e këtyre treguesve të ponderuar përfshihen në kategorinë e të varfërve shumëdimensionalë. /abcnews.al