Shehi merr ofertë nga Shkëndija, reagon Halili: Jam i befasuar nga një lajm i tillë, është një spekulim

schedule09:55 - 8 Shtator, 2022

schedule 09:55 - 8 Shtator, 2022

Ditën e djeshme u raportua se Orges Shehi kërkohet nga Shkëndija e Tetovës dhe se një largim i tij drejt kampionatit maqedonas ishte mëse i mundshëm.

Për një ofertë të supozuar ka reaguar edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili, i cili për “Panorama Sport” ka theksuar se nuk është aspak në dijeni të një lajmi të tillë, dhe se janë të pavërteta.

“Nuk jam aspak në dijeni dhe jam i befasuar si ka dalë ky lajm në këtë moment. Unë isha në stërvitjen e djeshme të skuadrës, kam folur shumë qetësisht me trajnerin për vazhdimësinë e kampionatit. Absolutisht nuk di asgjë!

Mendoj që janë gjëra të pabesueshme. Po të ishte fakt i kryer, atëherë duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira që kam me trajnerin dhe si e njoh unë Shehin, natyrisht që do të më kishte bërë me dije.

Gjithashtu edhe drejtori im sportiv do të më kishte njoftuar pa diskutim nëse do të kishte diçka në lidhje me trajnerin.

Për mua ky është një spekulim, dhe i fortë madje! Tirana nuk është skuadër e Kategorisë së Dytë, pa dashur të ofendoj askënd”, ka deklaruar numri një i bardhebluve. /f.a/abcnews.al