6 persona kanë humbur jetën në një javë në veriperëndim të Argjentinës nga një sëmundje “misterioze”. Dy pacientë të tjerë vdiqën ditën e djeshme, të dielën, sipas ministrisë të shëndetësisë. Viktima e gjashtë ishte një 81-vjeçar me sëmundje shoqëruese, i cili ndodhej në gjendje kritike.
Ditën e djeshme ministria kishte njoftuar vdekjen e një pacienti tjetër, një 64-vjeçar, gjithashtu me sëmundje shoqëruese. Një ditë para të shtunës ai kishte njoftuar vdekjen e pacientit të katërt, një 48-vjeçar, i cili gjithashtu vuante nga sëmundje të tjera.
Në total, 11 persona kanë shfaqur simptoma dhe pesë janë ende duke u trajtuar dy në spitale. Të gjitha rastet janë të lidhura me një klinikë private në San Miguel de Tucuman, kryeqyteti i provincës.
Shumica e pacientëve ishin pjesëtarë të stafit në klinikën private, ndërsa një pacient ishte një 70-vjeçar i cili kishte kryer operacionin atje.
Çfarë e shkaktoi pneumoninë?
Shkaku i sëmundjes është bakteri Legionella, tha të shtunën Ministrja e Shëndetësisë e Argjentinës Carla Vicotti gjatë një konference për shtyp në Tucuman, duke shtuar se përpjekja për të identifikuar llojin e saktë është në vazhdim.
Testet fillestare përjashtuan COVID, gripin, gripin A dhe B, Hantavirusin (s.b.: i transmetuar nga brejtësit) dhe dhjetëra mikrobe të tjera. Mostrat u dërguan për t’u analizuar në laborator. Ministri i Shëndetësisë i Argjentinës prezantoi rezultatet fillestare të analizave.
Legionella është një infeksion serioz i mushkërive me origjinë bakteriale. Infeksioni mund të ndodhë nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes, “nëpërmjet ujit apo ajrit të kondicionuar”, tha Vicotti.
/abcnews.al