Autoritetet spanjolle kanë zbardhur skemën se si operonte grupi i strukturuar kriminal nën drejtimin e ish-futbollistit të Real Madrid, Raul Bravo. Grupi përzgjidhte ndeshjet për t’u trukuar në fillim ose fund të sezonit.
Pas arrestimeve të fundit për fiksime dhe trukime rezultatesh, Policia e Spanjës ka zbardhur edhe skemën se si operonte ky grup i strukturuar kriminal me në krye Raul Bravon, ish-futbollistin e Realit.
Gjithsesi 5 ishin hapat që duhet të ezauroheshin deri në fitimin e shumave marramendëse. Sipas autoriteteve spanjolle Bravo me shokë kishin ndërtuar një skemë të qartë dhe të pakuptueshme, deri te detajet se si do të luheshin ndeshjet në kompanitë e basteve. Pëlqehej kombinimi i koeficienteve, në mënyrë që fitimi të ishte sa më i madh.
Së pari, bëhej përzgjedhja e ndeshjeve që do të luheshin në baste. Grupi preferonte më shumë ato në fillimin e sezonit, ose në fund për ta bërë më të lehtë trukimin e tyre. Më tej vendosej bashkërisht se si do të luheshin këto takime në baste. Preferoheshin më shumë rezultatet e kombinuara (rezultat i pjesës së parë dhe ai final, korne, etj). Hapi i radhës kishte të bënte me vendosjen e kontakteve, me procesin e ndërlidhjes me aktorët që do ta trukonin përballjen.
Vendoseshin kontaktet e para me pjesëtarët e klubeve që do të trukonin ndeshjet. Jo vetëm lojtarë, por edhe anëtarë të stafit teknik. Dhe sapo arrihej marrëveshja, duhet që grupi i strukturuar të paguante lojtarin që kishte marrë përsipër të trukonte ndeshjen (vetëm, ose në bashkëpunim me pjesën tjetër të skuadrës). Pagesa bëhej në dorë dhe në dy këste.
Kësti i parë përpara zhvillimit të ndeshjes dhe i dyti pasi gjërat të ishin bërë ashtu siç duhej dhe rezultati të dilte siç kërkohej. Grupi i organizuar merrte përsipër që të paguante të gjithë ata që do të përfshiheshin në trukim, të përzgjedhur nga kapiteni ose nga drejtuesit e klubit. Në fund pas realizimit të fiksimit të rezultatit, operohej me kompanitë për tërheqjen e lekëve dhe ndarjen sipas kontributeve./ABC News Albania 24/7