Pse luftërat janë të lehta për t’u filluar dhe të vështira për t’u përfunduar

schedule10:31 - 31 Gusht, 2022

schedule 10:31 - 31 Gusht, 2022

Nga Stephen M.Walt “Foreign Policy
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Është shumë më e lehtë të nisësh një luftë sesa t’i japësh fund asaj. Shembuj të kësaj dukurie janë të kudogjendura. Sikurse shkruan Geoffrey Blainey në librin e tij “Shkaqet e luftës”, shumë konflikte në të kaluarën u nxitën nga “ëndrrat dhe iluzionet e një lufte të ardhshme” dhe sidomos nga besimi se ajo do të ishte e shpejtë, jo shumë e kushtueshme dhe do të prodhonte një pasojë vendimtare: fitoren.

Për shembull në vitin 1792, ushtritë e Austro-Hungarisë, Prusisë dhe Francës nxituan të përfshihen në fushën e betejës duke besuar se lufta do të merrte fund pas një ose dy betejash. Radikalët francezë mendonin se revolucioni i tyre i fundit, do të përhapej shpejt tek të tjerët, ndërsa monarkitë kundërshtare besonin se ushtritë revolucionare ishin në turmë kaotike e paaftë, të cilën ushtarët e tyre profesionistë do ta mposhtin me lehtësi.

Por ajo me të cilën u përballën ishte gati  një çerekshekulli luftë e përsëritur, që i tërhoqi zvarrë të gjitha fuqitë e mëdha, dhe që u përhap në mbarë botën. Ngjashëm, në gushtin e vitit 1914, vendet evropiane marshuan me entuziazëm drejt luftës, duke thënë se ushtarët do të riktheheshin në shtëpi për Krishtlindje, pa e ditur se kjo gjë do të ndodhte vetëm në vitin 1918.

Udhëheqësi irakian, Saddam Hussein, ra pre e të njëjtit iluzion në vitin 1980, kur besonte se  revolucioni i vitit 1979, e kishte bërë Iranin më të dobët, duke e bërë të lehtë një fitore ushtarake ndaj tij. Por lufta zgjati 8 vite, dhe të dyja shtetet pësuan qindra mijëra të vdekur dhe dëme të mëdha ekonomike përpara se t`i jepnin fund konfliktit.

Edhe fushatat ushtarake shumë të suksesshme, çojnë shpesh jo në fitore të shpejta, por në “moçalishte” të pafundme. Lufta Gjashtë Ditore e vitit 1967 zgjati më pak se një javë, por ajo nuk zgjidhi asnjë nga mosmarrëveshjet politike midis Izraelit dhe fqinjëve të tij, dhe thjesht hodhi bazat për Luftën e Shkatërrimit (1969-1970) shumë më të kushtueshme, si dhe Luftën e Tetorit të vitit 1973.

Pushtimi i Libanit nga Izraeli në vitin 1982, ishte një sukses pothuajse total ushtarak, por pushtimi i Libanit Jugor zgjati 18 vjet, kushtoi qindra mijëra jetë njerëzish, solli krijimin e Hezbollahut dhe hodhi bazat për disa përplasje edhe më të kushtueshme.

Edhe sukseset fillestare të SHBA-së në Afganistan në vitin 2001 dhe Irak në vitin 2003 rezultuan të ishin tërësisht iluzore. Në vend të “Misionit të kryer”, siç deklaroi para kohe presidenti i atëhershëm i SHBA-së, George W. Bush, nga bordi i një aeroplanmbajtëse më pak se 2 muaj pas pushtimit të Irakut, në të dyja rastet ajo që ndodhi ishte një luftë e kushtueshme dhe në fund e pasuksesshme kundër kryengritjeve çuditërisht të qëndrueshme dhe efektive.

Udhëheqësi i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, duhet ta kishte menduar atë përvojë përpara se të fillonte luftën e tij të pamenduar kundër rebelëve Huthi në Jemen. Vladimir Putin i Rusisë është udhëheqësi më i fundit botëror që nisi një luftë duke besuar se fitorja do të ndodhte shpejt dhe lehtë.

Çfarëdo që të besohet mbi origjinën dhe përgjegjësinë përfundimtare për luftën në Ukrainë, nuk ka dyshim se ishte Rusia ajo që e filloi atë. Duket se Putin besonte se synimet e tij fillestare të luftës do të arriheshin shpejt dhe nuk do të kushtonin aq shumë.

Por ai mbivlerësoi pikat e forta të Rusisë, nënvlerësoi vendosmërinë e Ukrainës, dhe i bëri llogaritë gabim se si do të reagonin palët e treta. Tani ai po mëson të njëjtin leksion të dhimbshëm që kanë zbuluar shumë liderë të tjerë botërorë: Është shumë më e lehtë të nisësh një luftë sesa t’i japësh fund asaj.

Por pse shohim kaq pak luftëra të shkurtra dhe vendimtare, që i përmbushin pritshmëritë e nismëtarëve të tyre dhe që të rezultojnë të jenë të lehta për t’u ndalur? Nuk mjafton të pranohet se lufta bart gjithnjë të papritura, dhe se vlerësimet e paraluftës janë shpesh me të meta, apo që luftimet prodhojnë shpesh pasoja të paqëllimshme, që i bëjnë të parëndësishme llogaritjet e paraluftës.

Ajo që duhet të mendojnë udhëheqësit mbi një luftë, janë tendencat e fuqishme që i bëjnë ato të jenë edhe më të mëdha, të kushtojnë më shumë dhe të zgjasin më shumë sesa pritet. Së pari, është e pamundur të dihet paraprakisht se sa ashpër do të rezistojë kundërshtari, dhe udhëheqësit që mendojnë për një sulm ka të ngjarë ta nënvlerësojnë atë. Dështimi për të vlerësuar fuqinë e nacionalizmit është një nga arsyet e kësaj tendence. Po ashtu, prirja për të parë kombin e vet si natyrshëm superior ndaj të gjithë armiqve të mundshëm, i inkurajon agresorët të zvogëlojnë aftësinë e kundërshtarit për të rezistuar.

Së dyti, sapo nis një luftë, nis edhe problemi i njohur i kostove të paparashikuara të saj. Sapo kundërshtarët nisin të pësojnë humbje, udhëheqësit e tyre duan që të arrijnë përfitime të mjaftueshme për të justifikuar sakrificat që janë bërë tashmë. Familjeve që kanë humbur të dashurit, nuk mund t’u thuhet se ato sakrifica ishin të kota. Dëshira për të rikuperuar kostot e paparashikuara, inkurajon zgjerimin e qëllimeve të luftës nga secila palë.

Së treti, luftërat vazhdojnë sepse vetë akti i luftimit, e ngurtëson imazhin e secilës palë për tjetrën. Pavarësisht se sa dyshuese apo armiqësore ishin në fillim palët ndërluftuese, ato ndjenja urrejtje dhe dyshimi vetëm sa do të rriten, teksa secila i shkakton më shumë vdekje, shkatërrim dhe vuajtje tjetrës. Në këto rrethana, dëshira për hakmarrje është e natyrshme, gjë që nga ana tjetër nxit dëshirën për fitore vendimtare mbi një armik gjithnjë e më të përçmuar dhe të urryer.

Së katërti, ndërsa përkeqësohet imazhi mbi armikun, zbehet aftësia për të negociuar. Marrëdhëniet diplomatike mund të ndërpriten, duke e bërë më të vështirë komunikimin e drejtpërdrejtë, dhe cilido që guxon të flasë për mundësinë e kompromisit, ka të ngjarë të denoncohet si tradhtar (ose më keq akoma).

Edhe nëse nisin negociatat, asnjëra palë nuk do t’i besojë mjaftueshëm tjetrës për të arritur një marrëveshje. Për shembull, në rastin e Ukrainës, qeveria e Volodymyr Zelensky ka çdo lloj arsye për të mos i besuar Putinit apo bashkëpunëtorëve të tij, dhe në këtë pikë as Putini dhe këshilltarët e tij nuk i besojnë askujt.

Mjerisht, ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Genadi Gatilov, kishte ndoshta të drejtë kur tha javën e kaluar se “sa më gjatë të vazhdojë konflikti, aq më e vështirë do të jetë gjetja e një zgjidhje diplomatike”.

Së pesti, luftërat kanë ndërkohë një tendencë të fuqishme për t’u përshkallëzuar dhe zgjeruar. Nëse njëra palë është duke humbur, ajo mund të marrë në konsideruar përdorimin e më shumë force, goditjen e objektivave të rinj dhe më të rrezikshëm, ose përshkallëzimin e konfliktit në mënyra të tjera.

Shpërthimet e fundit në Krime, situata e rrezikshme në termocentralin bërthamor në Zaporizhzhia dhe sulmi me bombë në Moskë ndaj vajzës së një analisti pro-Putinit, tregojnë saktësisht se si mund të funksionojë ky proces, pavarësisht se kush është tek e fundit përgjegjës për këto veprime.

Luftërat zgjerohen edhe pse në të përfshihen palë të jashtme për të mbështetur njërën apo tjetrën anë, siç ka bërë NATO me Ukrainën që nga fillimi i luftës. Lufta civile në Siri është një shembull i përsosur: Ajo që nisi si një kryengritje e brendshme brenda Sirisë, solli ndërhyrjen ushtarake direkte ose indirekte nga Rusia, Turqia, Irani, Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe disa vende të tjera.

Fatkeqësisht, sa më shumë vende të tjera të përfshihen, dhe të kenë interes në rezultatin e një konflikti, aq më e vështirë është që të gjithë ata të bien dakord për t’i dhënë fund atij. Një problem i gjashtë që i zgjat luftërat është përkeqësimi i cilësisë së informacionit. Siç është shprehur dikur ish-senatori amerikan Hiram Johnson “Viktima e parë në një luftë është e vërteta!”.

Qeveritë kanë stimuj të fuqishëm për të forcuar moralin e publikut, duke trumbetuar vetëm lajme kryesisht të mira, duke i fshehur pengesat dhe humbjet, dhe duke i kujtuar vazhdimisht popullatës së tyre natyrën e ligë të armikut. Ato imponojnë censurë dhe i shtypin ose margjinalizojnë disidentët, duke e bërë të vështirë një panoramë të saktë të asaj që ëshë duke ndodhur realisht në fushën e betejës.

Nëse elitat dhe publiku në të gjitha palët ndërluftuese, besojnë se lufta po shkon mirë për anën e tyre, nuk do të ketë shumë presion për t’i dhëne fund asaj. Siç u shpreh kryeministri britanik David Lloyd George në vitin 1917: “Nëse njerëzit do t’i dinin vërtet kushtet e ushtarëve në front, lufta do të ndalej që nesër. Por sigurisht që ata nuk e dinë dhe s’mund ta dinë”.

Marrë me shkurtime

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!