Nga Maria Tadeo “Bloomberg”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Pas pushimeve verore, Evropa po i rikthehet punëve të saj. Por këtë vit duket sikur gjërat janë shumë të zymta. Mjafton të dëgjoni deklaratat e Emanuel Makron. Presidenti francez u tha ministrave të tij gjatë mbledhjes së tyre të parë zyrtare javën e kaluar, se në horizont ka tashmë një paradigmë: është ajo e fundit të bollëkut në një botë që ka jetuar deri më sot e shkujdesur.
Kjo është një deklaratë kthjelluese që del nga një vend shumë i pasur. Historia franceze është formësuar nga shkëlqimi i triumfeve të këtij kombi. Etosi i saj kombëtar ndjek madhështinë në vlerat që përfaqëson dhe rolin e “puissance d’équilibre” – një fuqi ndërmjetësuese – që kërkon ta luajë në skenën ndërkombëtare.
Shkëlqimi është gjithashtu një prodhues i vërtetë parash për ekonominë franceze. Industria ushqehet me kërkesën e pangopur të konsumatorëve. E gjithë kjo është në kontrast me deklaratat e Makron, të cilat kritikët i kanë etiketuar si të vrazhda, pesimiste, madje edhe disfatiste.
Megjithatë, edhe pse mesazhi i tij nuk ishte më i këndshëm, ai ishte i rëndësishëm. E vërteta është se fjalët e Makron, vetëm sa po përshkruajnë realitetin e asaj me të cilën përballet Evropa. Rusia po bën kërdinë në tregun e energjisë, inflacioni është shumë i lartë, ndërsa qeveritë po synojnë uljen e kërkesës për të shmangur racionimin.
E kundërta e bollëkut është mungesa. Ana e kundërt e pasurisë është maturia. Atëherë pse deklarata të tilla? Presidenti francez e ka zakon ta tronditë opinionin publik me deklarata shokuese. Disa vite më parë ai e përshkroi NATO-n si një organizatë që ndodhet në koma, dhe sugjeroi se do t’i ndëshkonte me kënaqësi njerëzit e pa vaksinuar nëse kjo do të ndihmonte në rritjen e shkallës së vaksinimit në Francë.
Toni dhe gjuha e , janë shpesh përçarëse. E majta e ka akuzuar tashmë Makronin se është jashtë realitetit – një kritikë kjo e përsëritur – nëse ai mendon se klasa punëtore franceze jeton në luks, veçanërisht pasi kriza e kostos së jetesës dëmton së pari ata që jetojnë me paga modeste.
Marin Lë Pen, armikja e tij politike më e madhe, ka deklaruar se skenari i krizës që ai parashtroi nuk është vetëm rezultat i luftës, por edhe i politikave të tij. Disa nga ministrat e Makron nxituan disa orë më vonë të sqarojnë më në detaje komentet e tij, duke sugjeruar se presidenti nuk është disfatist, por i kthjellët.
Pjesa më e madhe e komenteve televizive u fokusua mbi atë se çfarë sakrificash do të kërkohen nga publiku. Në këtë kuptim, gjuha e Makron është në kontrast me atë të administratës së Xho Bajden, e cila heziton të nxisë bisedat për recesionin.
Madje edhe me Liz Trus në Britaninë e Madhe, pretendente në garën për kreun e Partisë Konservatore, e cila refuzon të besojë se një recesion është i pashmangshëm, pavarësisht se Banka e Anglisë e parashikon një të tillë. Dhe Britania e Madhe përballet me një panoramë shumë më të zymtë se sa Franca.
Në vitin 1979, ish-presidenti amerikan Xhimi Karter shpalli atë që disa e përshkruan si kulmin e pesimizmit në politikë. Në kushtet e një inflacioni të lartë dhe krizës së çmimeve të naftës, ai tha se Amerika po kalonte një “krizë besimi” – mbi të ardhmen dhe kombin – që e kërcënonte strukturën shoqërore të vendit.
Ndërsa Evropa përballet sot me efektet e luftës së Rusisë në Ukrainë, fjalimi i Karter duket të jetë shumë i rëndësishëm sot. Shumë gjëra do të vendosen nga vendosmëria e bllokut për të qëndruar të bashkuar, për të pasur besim dhe vendosmëri.
Unë kam argumentuar prej kohësh, se shumë evropianë nuk e besojnë ende se një dimër shumë i vështirë mund ta fusë në krizë ekonominë. Për familjet dhe bizneset, situata mund të imponojë zgjedhje ekstreme: të blesh karburant për makinën apo produkte ushqimore, ta mbash hapur apo ta mbyllësh dyqanin.
Megjithatë, verifikimi i realitetit nuk do të thotë fatalizëm. Për Makron, që u përball me një periudhë traumatike trazirash sociale për shkak të protestave të Jelekverdhëve në vitin 2018, fatalizmi rrezikon ta minojë qeverinë e tij.
Francezët i kanë kufizuar çmimet e energjisë, duke e përballur pjesën më të madhe të kostos përmes ndërmarrjes shtetërore “Électricité de France”, e cila raportoi një humbje prej 5 miliardë eurosh në 6 muajt e parë të vitit, për të zbutur goditjen ndaj konsumatorëve. Pavarësisht situatës së vështirë ekonomike, Franca ka aktualisht një nga normat më të ulëta të inflacionit në zonën e euros. Në këtë kuptim, Makron po e blen me para paqen sociale, ashtu siç bëri me paketat e tij sociale gjatë bllokimeve për shkak të pandemisë. Tani qeveria nuk duhet të sillet sikur është gati të dorëzohet.
Qasja disfatiste rrezikon gjithashtu që ta dobësojë mbështetjen publike për Ukrainën. Rusia dëshiron ta shohë Evropën të prekë fundin, për ta detyruar të lehtësojë sanksionet ndaj saj. Me gjithë stresin e dukshëm në tregun e energjisë, ku çmimet e gazit dhe ato të energjisë elektrike po arrijnë nivele të reja pothuajse çdo javë, BE ka sinjalizuar deri më tani se nuk do të ndryshojë kursin.
Edhe vetë Makron, deklaroi kohët e fundit se në rrethanat aktuale nuk ka vend për kompromis me Vladimir Putin. Në fund të fundit, argumentoi ai, edhe kjo është betejë vlerash. Kjo qasje e tij është inkurajuese, por ruajtja e moralit do të bëhet më e vështirë kur ditët të nisin të bëhen më të ftohta, dhe sidomos nëse na thuhet se tashmë na ka marrë lumi.
Kjo lloj fryme dëmton edhe ukrainasit, të cilët po paguajnë një kosto të madhe në gjak dhe shkatërrime materiale. Po ashtu, Makron foli për një sërë krizash, duke kaluar nga lufta tek ngjarjet e lidhura me klimën dhe çështjet e zinxhirit të furnizimit. Këto janë çështje të rëndësishme, por një përzierje e tillë mund ta ngatërrojë opinionin publik dhe të zbehë përgjegjësinë e Putinit për situatën aktuale.
Në rast se ai nuk do ta kishte pushtuar Ukrainën, sot nuk do të flisnim për një krizë energjetike të këtyre përmasave. Evropa po hyn këtë dimër në ujëra të pa eksploruara. Ne duhet të qëndrojmë të qartë mbi rreziqet që kemi përpara, por le të mos hyjmë në stuhi duke supozuar se gjithçka tashmë është e humbur. /abcnews.al